Në Bosnje dhe Hercegovinë, janë raportuar 1,586 raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri, ndërsa 36 persona kanë vdekur.

Në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës u testuan 2.275 mostra, nga të cilët 932 ishin pozitivë për koronavirus, dhe u raportuan 20 vdekje.

Ndërsa, në 24 orët e fundit, në Republikën Serbe të Bosnjës u testuan 1,408 mostra nga të cilat 630 dolën pozitive.

Në Qarkun e Bërçkos, u regjistruan 24 të infektuar nga 74 mostra të testuara. Në 24 orët e kaluara, u raportuan dy vdekje.

Edhe Kroacia ka raportuar shifra të larta të të infektuarve me koronavirusin e ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Në 24 orët e fundit, janë regjistruar 2,378 raste të reja, tha Shtabi Kombëtar i Mbrojtjes Civile. Numri i rasteve aktive është 12,736. Nga sëmundja kanë vdekur edhe 23 persona, kështu që numri i përgjithshëm i viktimave është 493.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se “sot është dita më e vështirë për Serbinë”, pasi pritet të konfirmohen më shumë se 1,200 të infektuar me koronavirus.

“Numri i të shtruarve në spital është dyfishuar krahasuar me të hënën e kaluar; numri i pacientëve në aparate për frymëmarrje është më i lartë dhe ekziston mundësia që të rrezikohet funksionimi i sistemit shëndetësor”, tha Vuçiç në një fjalim për gjendjen epidemiologjike në vend.

Top Channel