Tensionet mes Francës dhe Turqisë janë përshkallëzuar ndjeshëm së fundi, të reflektuara qartë jo vetëm në deklaratat e ashpra të dy liderëve të tyre, por edhe vendimin e Parisit për të tërhequr ambasadorin në Turqi.
Franca i cilësoi të papranueshme komentet e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan mbi shëndetin mendor të presidentit Emmanuel Macron dhe akuzat që i hodhi atij për mënyrën e trajtimit të myslimanëve. Pas sulmeve verbale ndaj shefit të Elizesë, Erdogan deklaroi një ditë më parë në një mesazh televiziv:
“Ashtu si disa në Francë thonë mos blini mallra turke, unë i drejtohem kombit tim: mos u kushtoni vëmendje mallrave të etiketuara në frëngjisht, mos i blini!”.
Në fundjavë ndërkohë ishte shprehur se Macron ka nevojë për kujdes shëndetësor.
“Çfarë mund të thuash tjetër për një kryetar shteti që nuk beson në lirinë e besimit dhe sillet në këtë mënyrë kundër miliona njerëzve të feve të ndryshme”, u shpreh Erdogan.
Macron u zotua të godasë islamizmin radikal në vendin e tij pas tronditjes që shkaktoi në Francë vrasja makabre e mësuesit samuel Paty. Presidenti francez deklaroi pas kësaj ngjarjeje se ndaj xhamive dhe institucioneve të tjera myslimane do të ketë kontrolle më të rrepta. Macron mori edhe një herë me forcë në mbrojtje edhe të drejtën për të botuar karikatura kritike ndaj fesë.
Top Channel