Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin Kujtim Shala, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale, pastrim i parave.

Kujtim Shala, i cili është vetëdorëzuar një ditë më parë, besohet se është pronar i kompanisë LDA Group, ku punonjësi i Thesarit të Kosovës, Labinot Gruda, përmes katër transferimeve, ka dërguar mbi 2 milionë euro.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit është e bazuar dhe paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 187”, është thënë në njoftimin për media të kësaj Gjykate.

Aty është thënë se masa e paraburgimit është caktuar, meqë i dyshuari mund të arratiset me qëllime të shmangies së përgjegjësisë penale.

Përveç të dyshuarit, Kujtim Shala, Policia e Kosovës ka thënë se edhe pronari tjetër i kompanisë LDA Group, me inicialet, V.Sh është i dyshuar, por është në arrati.

Përndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 tetor, i ka caktuar edhe Labinot Grudës masën e paraburgimit prej një muaji.

Prokuroria e Kosovës pretendon se Gruda i ka bërë transferimet në vlerë të mbi 2 milionë eurove më 9 tetor, ndërsa është arrestuar më 20 tetor.

Sipas organit të hetuesisë, Gruda i ka bërë këto veprime në një periudhë prej 8 minutash.

Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se transferimi i mbi 2 milionë eurove është bërë përmes një sulmi kibernetik.

“Ky është krim ekonomik, i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer fjalëkalimet”, ka deklaruar ministrja Bajrami.

Kompania LDA Group, sipas Agjencisë së Regjistrit të Bizneseve, është regjistruar si biznes në gusht të vitit 2019.

Si pronarë të këtij biznesi figurojnë K.Sh dhe V.Sh, ndërsa si veprimtari kryesore e ka të përcaktuar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërsa veprimatri dytësore demolimin e objekteve.

Sipas të dhënave të kësaj agjencie, kjo kompani e ka adresën në fshatin Llapushnik të Gllogovcit, rreth 30 kilometra nga Prishtina.

Top Channel