Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkon që të nisë hetimi për mënyrën se si u tjetërsua Kompleksi Partizani.
Balla thotë se forca e Ligjit nuk mund të vonojë hetimin e pasurive të vendosura nga korrupsioni, ndikimi i paligjshëm dhe abuzimet me pasuritë e shqiptarëve.
Fillimi i hetimeve të pavarura për ish-kompleksin “Partizani”, privatizimin e tij me një vlerë qesharake sa një hyrje apartamenti 2+1 në atë zonë, ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, shpërdorimin e detyrës së zyrtarëve të përfshirë dhe vepra të tjera penale. Sa pronarë të ligjshëm ka në Shqipëri që nuk u janë kthyer pronat e tyre, ndërkohë që Sali Berisha i dha këtë super pronë dhëndrit të tij?
Balla thotë se që në vitin 2012 ka denoncuar grabitjen e kompleksit Partizani, duke përvetësuar ndërtesat dhe fushat e futbollit mu në qendër të Tiranës.
Pas shtatë vitesh grabitësit hoqën maskat dhe vetëm me 35 mijë lekë familja e Sali Berishës është tashmë pronare e 1/3 e një kompleksi prej 20 milionë Eurosh. Asokohe qeveria e Sali Berishës e privatizonte kompleksin “Partizani” tek disa persona të përfaqësuar nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Balla bën shkurtimisht një përmbledhje të aferës që kërkon të hetohet. Ai thotë se në kohë rekord nga tetori i vitit 2008 deri në dhjetor të atij viti Ministria e Mbrojtjes e drejtuar nga Arben Imami, anëtar i qeverisë së vjehrrit të Malltezit, përfundoi të gjitha procedurat për kalimin e pronësisë së tokës dhe shitjen e hotelit gjigant dhe ndërtesave me 100 milionë lekë të vjetra.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Jamarbër Malltezi është shtuar si aksioner me 35 % tek kompania “Homeplane” në dhjetor të vitit 2018, me kontribut 35 mijë lekë. Jamarbër Malltezi i ka blerë këto aksione në 23 janar të vitit 2014, pra shumë më herët sesa regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Leja zhvillimore është zbardhur nga Bashkia e Tiranës me firmën e Lulezim Bashës më 18 gusht 2013 dhe vetëm pas 6 muajsh pas nisjes së punimeve, Jamarbër Malltezi futet si aksionar i këtij pallati ndërtimi.
Në këtë mënyrë nga një pronë prej 144 metrash tokë, Jamarbër Malltezi u bë pronar i më shumë se një të tretës të një kompleksi pallatesh me vlerë mbi 20 milionë euro. Kaq e thjeshtë ishte që nga një grabitje e kompleksit “Partizani”, sot berishët me dhëndurë e kompani janë super-milionerë në mënyrë të paligjshme.
Top Channel