At Roger Matassoli u gjet i vdekur në shtëpinë e tij me kryqin të ngulur në fyt.
Një 19-vjeçar është arrestuar ne Francë për hakmarrjen brutale të vrasjes së priftit pedofil që akuzohej për abuzime ndaj tij dhe tre djemve të tjerë të rinj.
I dyshuari i identifikuar vetëm si Alexandre V., raportohet se ka vrarë dhe torturuar priftin katolik 91-vjeçar Roger Matassoli në shtëpinë e tij në Agnetz, në veri të Francës më 4 nëntor të vitit të shkuar.
I riu kishte ngulur kryqin në fytin e priftit duke i shkaktuar mbytjen. Autori ishte dërguar fillimisht në një klinikë të shëndetit mendor pas arrestimit, ku ai qëndroi për dy muaj deri në ngritjen formale të akuzave kësaj jave.
Alexandre u kap nga policia teksa tentonte të largohej nga skena e krimit dhe është akuzuar torturë, vrasje dhe rezistencë ndaj arrestit. Gjatë hetimeve i dyshuari tha se nuk mbante mend asgjë nga ngjarja por kishte të qartë motivin për sulmin e tij.
Alexandre është një nga katër djemtë për të cilët Matassoli akuzohet se i ka abuzuar seksualisht prej vitit 1960 deri në 2000, edhe pse autoritetet dyshojnë se ka më shumë viktima që ende nuk kanë dalë me akuzat e tyre.
Dhe në fakt abuzimet datojnë që prej babait të autorit Alexandre, i cili gjithashtu raportohet se ka qenë një viktimë e abuzimeve të Matassoli.
Sipas të përditshmes britanike The Sun, gjyshi i Alexandre ka vrarë veten kur mësoi për abuzimet që kishte kaluar familja e tij në duart e priftit pedofil.
Vetë Alexandre ka tentuar vetëvrasjen në të kaluarën teksa një anëtar i familjes raportoi se abuzimet ndaj tij kanë vijuar prej moshës gjashtë deri në pesëmbëdhjetë vjeç.
Por megjithë akuzat ndaj tij, Matassoli ka qenë në borderonë e kishës deri vitin e kaluar.
Peshkopi i Beauvais, Jacques Benoit-Gonnin insiston se Matassoli u largua nga postet e kishës që në vitin 2009 kur dolën akuzat, dhe se vijimi i tij në marrjen e rrogave nga kisha ishte “gabim teknik”.
Prej vitit 1967, Moatassoli ishte larguar nga një post kishtar në tjetrin, prej akuzave të abuzimeve.
Top Channel