Një muaj paraburgim ndaj 2 të dyshuarve për dhunimin e 15-vjeçares në Gjilan

26/10/2020 14:48

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit duke caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj të pandehurve A. Sh. dhe Q. P.

Ekziston dyshimi se personat në fjalë kanë dhunuar së bashku të miturën 15-vjeçare. Të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “dhunimi”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Teksa hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale lëndore ndaj të pandehurve, Gjykata ka ardhur në përfundimin se të njejtët po të gjenden në liri, mund të ndikojnë te njëri-tjetrin, por edhe në të dëmtuarën e mitur, duke vështirësuar ndriçimin e plotë të gjendjes faktike.

Ndaj gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka deklaruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

Top Channel