Armenia dhe Azerbajxhani akuzuan njëra-tjetrën për shkeljen e një armëpushimi të ri humanitar.
Armëpushimi hyri në fuqi më 26 tetor. Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se armëpushimi u shkel dy herë nga bombardimet e forcave azerbajxhanase. Kryeministri armen, Nikoll Pashinian, tha se pala armene “vazhdon të respektojë rreptësisht regjimin e armëpushimit”. Por, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se forcat e saj gjithashtu po respektonin armëpushimin duke shtuar se forcat armene e “kishin shkelur atë”.
Akuzat e ndërsjella vijnë pas një deklarate të përbashkët nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së dhe dy qeverive, më 25 tetor, ku u tha se të dyja palët janë angazhuar për armëpushimin. Kjo është përpjekja e tretë për të vendosur një armëpushim, pas katër javësh luftimesh. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u takua me ministrat e Jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit, në Uashington, dy ditë më parë, për t’i nxitur ata në drejtim të paqes. Më 25 tetor, presidenti amerikan, Donald Trump, përshëndeti angazhimin e palëve për armëpushimin.
“Urime kryeministrit armen, Nikoll Pashinyan dhe presidentit azerbajxhanas, Ilham Aliyev, të cilët sapo ranë dakord t’i përmbahen armëpushimit. Shumë jetë do të shpëtohen”, tha Trump në Twitter, duke lavdëruar Pompeon dhe ekipin e tij për “arritjen e marrëveshjes”.
Luftimet e fundit në rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut – që nisën më 27 shtator – kanë lënë të vrarë të paktën 1000 ushtarë dhe civilë dhe këto luftime po konsiderohen si më të ashprat që prej armëpushimit të vitit 1994, që i dha fund luftës ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit për statusin e rajonit të Nagorno Karabakut. Nagorno Karabaku ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por ky rajon kontrollohet nga armenët etnikë – që kanë mbështetjen e Jerevanit – që prej vitit 1994.
Top Channel