Autoritetet në SHBA shkatërrojnë folenë e parë të grerëzave gjigande aziatike (foto)

26/10/2020 17:38

Foleja e parë e grerëzave gjigande aziatike është zbuluar dhe çmontuar në SHBA, njoftuan autoritetet në fundjavë.

“I Kapëm,” shkruante departamenti bujqësor në Uashington, së bashku me videon ku tregoheshin dhjetra insekte të kapura brenda një cilindri të tejdukshëm plastik.

Kapja e grerëzave erdhi një ditë pasi autoritete njoftuan zbulimin e folesë së tyre në një zgavër peme në Blaine, pranë kufirit me Kanadanë.

Insektet tre-centimetra të gjata quhen ndryshe “grerëza vrasëse” për arsye se pickimi i tyre mund të jetë nganjëherë fatal për nejrëzit sidomos pas pickimeve të shumëfishta.

Departamenti tha se kishte arritur të kapte fillimisht katër grerëza vrasëse të gjalla më 21 e 22 tetor e u kishte instaluar atyre radio-gjurmues, dhe më në fund një prej tyre i kishte drejtuar te foleja.

“Heqja e folesë së grerëzave vrasëse u bë me sukses,” tha agjencia në faqen në Facebook duke shtuar se punonëjsit kishin nxjerrë të gjithë individët nga foleja me mjete vakumi e thithjeje.

Në shtator autoritetet thanë se shpresonin të çrrënjosnin të gjitha grerëzat vrasëse para mesit të nëntorit para se mbretëreshat e reja të dilnin dhe të çiftoheshin, çka do të vështirësonte ndalimin e shumimit të species parazitare.

Këto grerëza predatore vrasin bletët e mjaltit dhe insekte të tjera të rëndësishme.

Grerëzat gjigande aziatike mund të shpojnë me thumbin e tyre kostumet e mbrojtjes nga bletët, dhe injektojnë thuajse shtatë herë më shumë helm.

Departamenti bujqësor në Uashington tha se ato zakonisht nuk janë agresive ndaj njerëzve por përbëjnë kërcënim.

FOTO GALERI
1/5
Foleja e parë e grerëzave gjigande aziatike është zbuluar dhe çmontuar në SHBA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA