Trump: Biden kërkon të minojë demokracinë amerikane

23/10/2020 04:24

Demokratët kanë kritikuar përpjekjet e Presidentin Donald Trump dhe republikanëve të Senatit për konfirmimin e gjykatëses konservatore Amy Coney Barrett, si anëtare të Gjykatës së Lartë vetëm disa javë para zgjedhjeve të 3 nëntorit. Kjo ka bërë që disa aktivistë progresistë të bëjnë thirrje për zgjerimin e Gjykatës së Lartë duke shtuar numrin e gjykatësve liberalë, nëse kandidati demokrat Joe Biden dhe partia e tij fitojnë garën presidenciale dhe kontrollin e Kongresit.

Javën e kaluar në debatin mes kandidatëve për nënpresidentë, Mike Pence tha se shtimi i numrit të gjykatësve mund të minonte pavarësinë e këtij institucioni nga politika. “Nëse doni ta mbroni Gjykatën tonë të Lartë, nëse vlerësoni ndarjen e pushteteve, duhet të refuzoni fitoren e Joe Bidenit dhe Kamala Harrisit më tre nëntor e të rizgjidhni Presidentin Donald Trump. Ne do të vazhdojmë t’i qëndrojmë parimit të ndarjes së pushteteve dhe për një gjykatë prej nëntë anëtarësh”, tha Nënpresidenti Mike Pence.

Ndërsa zoti Biden, një politikan i moderuar, ka thënë se ai nuk e inkurajon procesin e shtimit të numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, zyrtarët e fushatës së tij nuk e ka hedhur poshtë këtë ide. Kur u pyet mbi këtë çështje gjatë debatit me zotin Pence, kandidatja demokrate për nënpresidente, senatorja Kamala Harris u kundërpërgjigj duke akuzuar administratën Trump për mbushje të gjykatave më të ulta me gjykatës konservatorë. “A e dini se nga të 50 personat që Presidenti Trump emëroi në gjykatat e apelit me mandat të përjetshëm, asnjë prej tyre nuk është afrikano-amerikan? Kjo është ajo që ata kanë bërë”, tha ajo.

Për të ndihmuar një presidencë të mundshme të zotit Biden që të miratonte axhendën e tij, nëse Senatin do e kontrollonin republikanët, ish-Presidenti Barack Obama mbështeti ndryshimin e rregullave të Senatit, për të shfuqizuar taktikat bllokuese. Taktika u lejonte senatorëve të zhvillonin debate pa fund dhe të bllokonin hedhjen e një ligji në votë. Për të mbyllur debatin dhe votuar projekt-ligjin, duheshin 60 vota në Senatin prej 100 anëtarësh. Gjatë presidencës Obama, demokratët e hoqën këtë rregull për miratimin e gjykatësve federalë dhe nën administratën Trump, republikanët e shfrytëzuan ndryshimin për të miratuar kandidatën e tyre për në Gjykatën e Lartë.

Një tjetër shqetësim për republikanët është se një shumicë e vogël e demokratëve mund ta forcojë pushtetin e tyre duke u siguruar mundësi për të shpërbërë Kolegjin Zgjedhor, sistemin jo të drejpërdrejtë të zgjedhjes së presidentit që favorizon shtetet rurale me prirje për republikane. Fitorja e Kolegjit Zgjedhor i dha presidencën në 2016 Donald Trumpit dhe në 2000 George W. Bush, edhe pse të dy humbën votën popullore. Disa progresistë duan gjithashtu të rrisin përfaqësimin e demokratëve në Kongres duke u dhënë statusin e shtetit dy bastioneve të partisë, kryeqytetit të vendit Uashingtonit, aktualisht një distrikt nën kontrollin e qeverisë federale, si dhe territorit të ishullit të Porto Rikos. Por edhe republikanët gjithashtu e kanë mbështetur dhënien e statusit të shtetit për Porto Rikon.

Analistët thonë se këto përpjekje nga të dyja palët për të kapërcyer kundërshtimet duke shmangur kompromisin, minojnë demokracinë. “Në ato demokraci që shkojnë drejt shpërbërjes, sheh këtë përshkallëzim të vazhdueshëm derisa shdërrohen në sisteme njëpartiake”, thotë Lara Brown, profesore e Politikës, në universitetin George Washington. Nga ana e tij, zoti Biden nuk i ka mbështetur këto propozime që forcojnë qeverisjen e mazhorancës, ndërsa po kërkon votat e të pavarurve si dhe të republikanëve të pakënaqur, që sipas sondazheve po e mbështesin atë gjithnjë e më shumë.

Top Channel