Te veshur me atlete dhe rroba sportive. Këta janë kandidatët që po i nënshtrohen garës fizike për tu bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit e njohur ndryshe si FBI-ja shqiptare.

Kjo e enjte shënoi ditën e fundit të testimit fizik, për 424 kandidatët që duan të hetojnë krimin në Shqipëri, por që në fund do të përzgjidhen vetëm 60.

Për katër ditë me radhë, dhe të ndarë në grupe, kandidatët, u desh që të testoheshin për rezistencën e tyre fizike, duke iu nënshtruar ushtrimeve, si pompa, muskuj barku, vrap, etj, e që më pas u vlerësuan nga komisionet.

I gjithë ky proces u monitorua nga Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit , Aida Hajnaj, si dhe nga komisionet ndërkombëtare vëzhguese, të ambasadës.

Të gjithë kandidatët që do të vlerësohen se janë të aftë fizikisht, dhe që kanë arritur rezultatet e kërkuara nga komisioni, do të vijojnë me fazat e tjera. Ditën e hënë pritet që të kenë shkrimin e një eseje, për të vijuar më pas me intervistimin se përse ata duan që të bëhen pjesë e BKH-së dhe se cilat janë motivet e tyre për të luftuar krimin dhe korrupsionin në vend.

Por megjithatë, do të ketë edhe të tjerë filtra, siç janë kontrolli i pasurisë për të gjithë kandidatët, për të vazhduar me procesin që për herët të parë do të përdorët në Shqipëri, poligrafi, ose e quajtur ndryshe makina e së vërtetës.
60 kandidatët që do të përzgjidhen në fund, për të qenë pjesë e BKH-së, do të punojnë ngushtësisht me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme SPAK, për të luftuar krimin dhe korrupsionin në vend.

Por përpara se të kalojnë deri në këtë fazë, ata më parë do të trajnohen nga ekspertë të FBI-së, për të marrë eksperiencën e tyre.

Andi Bora

Top Channel