SHBA/ Trump, Biden përballë njëri-tjetrit në debatin e fundit

23/10/2020 02:15

Presidenti republikan Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, ish nënpresidenti Joe Biden, debatojnë të enjten në mbrëmje, hera e fundit përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit që gjenden ballë për ballë.

Kandidatët, të dy në të 70-at, ndërprenë vazhdimisht njëri-tjetrin, megjithëse zoti Trump më shpesh se zoti Biden, në debatin e tyre prej mbi 90 minutash në fund të shtatorit, një përplasje që disa ekspertë amerikanë të shkencave politike e përshkruan si debatin presidencial amerikan më të keq ndonjëherë. Por këtë herë, Komisioni i pavarur për Debatet Presidenciale ka vendosur ta mbyllë mikrofonin e njërit kandidat, ndërsa tjetri flet për dy minuta në përgjigje të pyetjeve për gjashtë çështje që ka zgjedhur moderatorja Kristen Welker e “NBC News”.

Komisioni tha se mendon se nëse as Presidenti Trump as demokrati Biden nuk përpiqen të ndërpresin njëri-tjetrin gjatë komenteve hapëse dy minutëshe, votuesit amerikanë – të paktën ata relativisht të paktë që thonë se janë ende të pavendosur se si do të votojnë – mund të krijojnë një ide më të qartë se në ç’drejtim do ta çojë vendin secili prej tyre kur të marrë detyrën në 20 janar.

Pas dy minutave të përgjigjeve, mikrofonët e kandidatëve do të hapen përsëri dhe një skenar përplasjesh si herën e parë mund të përsëritet. Kandidatët Trump dhe Biden shkëmbyen një varg talljesh, fyerjesh dhe komentesh me thumba ndaj njëri-tjetrit, me ndërprerjet që e bënin të vështirë here pas here për shikuesit që të ndiqnin shkëmbimet.

Shumë gjëra kanë ndryshuar midis debatit të parë dhe atij të së enjtes, i cila mbahet një një sallë debatesh në Universitetin Belmont në Nashville, Tenesi.

Një debat i dytë i planifikuar për javën e kaluar u anulua pasi zoti Trump u prek nga koronavirusi dhe u shtrua në spital për tre net. Kjo e bëri komisionin të vendoste që kandidatët të debatonin virtualisht, por zoti Trump refuzoi dhe takimi u anulua.

Top Channel