Ndalim qarkullimi në Greqi/ Masat e reja kufizuese pas rritjes së rasteve. Maska bëhet e detyrueshme

23/10/2020 00:55

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një mesazh televiziv drejtuar qytetarëve ka shpallur midis të tjerash dy masa të rëndësishme në luftën kundër pandemisë.

‘Derisa muajt që vijnë parashikohen shumë të vështirë dhe ne nuk duam të shkojmë përsëri drejt një karantine të përgjithshme marrim disa masa më të rrepta si mbajtja e maskës kudo dhe ndalimi i qarkullimit në orët e natës në zonat me prekshmëri të lartë’- ka thënë ai.

‘Në zonat me rritjen e e rrezikshme të rasteve ato të nivelit 3 dhe 4, do të ndalohet qarkullimi nga ora 12:30 e natës deri në 5. 00 të mëngjesit. Natyrisht përjashtohen qytetarët që punojnë natën si dhe rastet e urgjencës. Së dyti përdorimi i maskës bëhet i detyrueshëm kudo”- tha Mitsotakis.

Në nivelin e kuq, niveli 4 i rrezikshmërisë, atë të lockdown-it lokal, ndodhen Kozani dhe Kosturi, ndërsa në nivelin 3, me ngjyre portokalli, janë 17 zona të tjera të vendit midis tyre Athina, Selaniku, Janina , Larisa si dhe ishujt Zakinthos, Mikonos, Samos e Lesvos.

Në 24 orët e fundit organet greke kanë deklaruar 882 raste me Covid-19 ndërsa për herë të dytë numri i viktimave ka qenë mbi 15. Kështu numri i përgjithshëm i rasteve prej fillimit të pandemisë ka shkuar në 28216 kurse numri i vdekjeve në 549. 90 persona trajtohen në terapi intensive.
Ndërsa kryeministri grek është shprehur se kryhen mbi 24000 teste në ditë, ai ka theksuar gjithashtu se Greqia ka siguruar doza të shumta të vaksinës kundër Covid-19 sapo ajo të prodhohet.

Mesazhi i z. Mitsotakis vjen në një moment kur partia më e madhe opozitare Syriza që e kritikon për menaxhimin e masave kundër koroanivurusit, ka dorëzuar të enjten në mbrëmje nëpërmjet liderit të saj Aleksis Tsipras, votë mosbesimi për ministrin e Financave Christos Staikuras, pasi ky ka sjellë në parlament për aprovim, një projektligj sipas të cilit qeveria dhe bankat konfiskojnë llogaritë e gjithë atyre qytetarëve që nuk paguajnë rregullisht kreditë duke ju lënë vetëm një shumë prej 600 eurosh në muaj.

Top Channel