Na erdhën 3.3 milionë turistë më pak/ Munguan italianët e polakët, por turizmin e shpëtuan patriotët

23/10/2020 15:23

“Nëntëmujori i këtij viti ka shënuar një rënie të ndjeshme të lëvizjeve përtej kufirit, si për të huajt që hyjnë në vend, ashtu edhe për shqiptarët që dalin jashtë. Kjo për shkak të masave kufizuese të vendosura nga shtetet për të mbajtur nën kontroll pandeminë Covid-19.”

Rreth 3.3 milionë më pak vizitorë më pak kanë hyrë në Shqipëri gjatë muajve Janar-Shtator duke shënuar një tkurrje të fortë me 61.1% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Rënien më të madhe e kanë regjistruar turistët nga Spanja me rreth 90%, ndjekur nga polakët, vizitorët nga Shtetet e Bashkuara si dhe fqinjët nga Italia, duke u ulur me 73.8% ose 281 mijë vizitorë më pak se në 2019.

Ndërsa vizitorët nga Kosova kanë shpëtuar turizmin e goditur rëndë këtë vit duke kompensuar humbjet nga turistët e huaj, pasi të dhënat tregojnë se në Shtator kanë hyrë rreth 73.3 mijë më shumë se kundrejt një viti më parë.

Megjithatë si 9-mujor, hyrjet e tyre janë përgjysmuar nga 2 milionë të regjistruar vitin e kaluar në vetëm 1 milion deri në shtatorin e këtij viti, si pasojë e bllokimit të lëvizjes për gati tre muaj.

Kufizimi i lëvizjeve ka penguar njëkohësisht edhe daljet e shqiptarëve jashtë vendit duke i përgjysmuar ato në 2.2 milionë gjatë këtij 9-mujori, nga 4.4 milionë që ishte kundrejt të njëjtës periudhë të 2019-ës.

2020 ka rezultuar fatal për turizmin shqiptar, një nga sektorët më të prekur nga pandemia e Covid-19 me humbje që sipas operatorëve turistikë arrijnë në rreth 1.3 miliardë euro. Me një ecuri të tillë, rimëkëmbja duket mjaft e vështirë për industrinë e turizmit, që vitin e kaluar numëronte në total rreth 6.4 milionë vizitorë.

Top Channel