Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, qëndron të premten për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku do të zhvillojë takime me kryeministrin e këtij vendi, Zoran Zaev, kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe me drejtues të partive politike shqiptare.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë se në takimin në Shkup, mes kryeministrave Zaev e Hoti, do të diskutohet “për marrëdhëniet mes dy shteteve në të gjitha fushat, si dhe për gjendjen me pandeminë e koronavirusit dhe masat që po ndërmerren për përballjen sa më efikaese me infektimet”.

Nga Qeveria e Kosovës bëhet e ditur se vizita e Hotit zhvillohet me ftesë të Zaevit.

“Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut do të nënshkruhet Memorandum i Bashkëpunimit për krijimin e Rrjeteve të pastërta 5G në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, dhe nënsekretarit amerikan të Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach”, bëhet po ashtu e ditur në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Hotit.

Top Channel