Kriza e koronavirusit në Republikën Çeke është aq e rëndë saqë kur kryeministri Andrej Babis doli para gazetarëve bëri diçka që pak liderë mund ta bëjnë.
Ai i kërkoi ndjesë popullit dhe e bëri këtë pesë herë. Babis pranoi se ai dhe qeveria e tij kishin bërë gabime në menaxhimin e pandemisë dhe iu lut njerëzve të ndiqnin rregullat strikte të izolimit.
“Më vjen keq për kufizimet e reja që kanë prekur bizneset, qytetarët, punonjësit. Më vjen keq që de facto e kisha përjashtuar mundësinë që të ndodhte e gjithë kjo pasi nuk mund ta imagjinoja që kjo do të ndodhte”, tha ai.
Për javë të tëra në fakt kryeministri kishte refuzuar të vendoste masa më të rrepta për popullatën duke cituar nevojën për të mbrojtur ekonominë. Vendi me 10 milionë banorë tani raporton më shumë raste të reja koronavirusi për 100 mijë banorë se çdo vend tjetër në botë. Apologjia e liderit çek vjen ndërsa vende të tjera evropiane, përfshirë gjermaninë, francën e poloninë, raportuan shifra rekord rastesh ditore dhe irlanda po përgatitet të imponojë izolimin më strikt në evropë.
Në francë ndërkohë janë regjistruar 41622 raste të reja të koronavirusit në 24 orët e shkuara. Kryeministri Jean Castex ka urdhëruar ndalimin e qarkullimit për 54 departamente që do të përfshijë 46 milionë banorë. Masa hyn në fuqi nga e premtja dhe ndalon qarkullimin nga ora 21 deri në 6 të mëngjesit për gjashtë javët e ardhshme. Shifrat vazhdojnë përkeqësohen edhe në Spanjë dhe Granada është bërë qyteti i parë i vendit ku është shpallur ndalimi i qarkullimit nga ora 23 deri në 6 të mëngjesit.
Edhe Greqia është detyruar të vendosë ndalim qarkullimin në Athinë dhe Selanik, ndërsa në Gjermani, situata është shumë serioze. 11287 janë rastet e reja të raportuara 24 orët e shkuara dhe parashikohet edhe një rritje e numrit të viktimave. Duket se ka dalë jashtë kontrollit situata në Belgjikë që është bërë tani vendi i dytë në botë për sa i takon numrit të viktimave në raport me popullatën. Mesatarja e rasteve ditore nga 12 deri në 18 tetor ka shkuar në 9693 dhe në terapi intensive ka përfunduar edhe ministrja e Jashtme dhe ish-kryeministrja Sophie Wilmes. Shifrat janë alarmante edhe në Rusi, me 15971 raste të reja e 290 viktima, dhe në Ballkan.
Top Channel