“Avulluan” 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit/ Kosovë, flet avokati i të dyshuarit

22/10/2020 13:59

Zyrtari i Ministrisë së Financave, Labinot Gruda, i cili dyshohet për “avullimin” e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit ka dalë sot para gjykatës ku pritet që të vendoset masa e sigurisë.

Vendimi për të dyshuarin nga Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të bëhet i ditur gjatë ditës së sotme.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit L.G. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, Veton Rrecaj, avokat mbrojtës i të dyshuarit tha se ende nuk është vendosur masa, por që presin vendim të drejtë nga trupi gjykues.

Ai shprehu besimin e tij për pafajësinë e klientit që mbron.

“Jemi duke e pritur vendimin, shpresojmë që gjykata të marrë një vendim të drejtë dhe mos t’i caktojë masën e paraburgimit si masa më e rëndë, por ne si mbrojtje kemi kërkuar që përveç disa propozimeve të tjera ta pyes dhe zonjën ministre ku janë atomjetet kur e dinë se ato janë të sigurta…Nëse kanë thënë se janë të sigurta apo të bllokuara, ajo duhet të japë sqarime për arsye se në pretendimet e Prokurorisë thuhet se automjetet janë tërhequr dhe nuk janë të sigurta…Vendimi pritet pas orës 13:00, ne shpresojmë në një vendim të drejtë nga gjykata dhe kemi besim të plotë në pafajësinë e të mbrojturit tonë“ , tha ai.

Rrecaj tha se Prokuroria nuk ka paraqitur prova konkrete për të mbështetur pretendimet e saj karshi klientit të tij.

“Është mbajtur seanca lidhur me kërkesën e paraburgimit ndaj të mbrojturit tim në Gjykatë, kërkesën e të cilën e ka paraqitur Prokuroria…Prokuroria i paraqiti arsyet apo më mirë me thënë tendencën e saj për caktimin e masës së paraburgimit, por nuk paraqiti asnjë provë konkrete relevante, e cila do ta mbështetë një pretendim të tillë mirëpo kërkesa ishte tërësisht e përgjithësuar, e supozuar dhe në asnjë rast nuk pati mundësi ta argumentojë të njëjtën. I mbrojturi im dyshohet në këtë fazë për një transaksion mbi 2 milionë euro nga vendi i tij i punës, dhe që nuk është e saktë dhe e bazuar përkundrazi ju si medie e dini dhe e keni parë edhe dje konkretisht ministrja, Bajrami që ka deklaruar se mjetet të cilat pretendon prokuroria se janë keqpërdorur janë të sigurta. Lind pyetja se si mund të jetë një gjë e sigurt nëse është keqpërdorur apo vjedhur. Në këtë rast deklarata e të njëjtës është në kundërshtim të plotë me kërkesën e paraburgimit”, tha ai.

Dyshimet e para ishin se L.G, zyrtar në Ministrinë e Financa ka kryer vjedhjen përmes sistemit elektronik për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin. Janë bërë 4 pagesa në emër të tri projekteve rrugore. 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit janë transferuar në xhirollogarinë e kompanisë me emrin “LDA Group në Llapushnik të Drenasit”.

L.G, i cili rezulton zyrtar financiar prej 11 vjetësh në Departamentin e Thesarit, nga fshati Komoran i Drenasit, është arrestuar më 20 tetor, ndërsa në arrati janë edhe dy të tjerë.

Top Channel