​Liberalizimi i vizave për Kosovën/ Ministrja e Jashtme: Mungesë vizioni i BE-së

22/10/2020 14:04

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla zvarritjen e liberalizimit të vizave për Kosovën e ka quajtur mungesë vizioni dhe lidershipi të BE-së.

Shefja e diplomacisë kosovare gjatë raportimit të sotëm në Komisionin për Integrim Evropiane tha se vendi ka plotësuar dhe tejkaluar gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Sipas saj, Kosovës po i bëhet e padrejtë nga evropianët.

Haradinaj-Stublla para të zgjedhurve të popullit foli edhe për vizitën e saj në Holandë, vend skeptik ky për liberalizimin e vizave.

Ajo tha se aty nuk i është shprehur një shqetësim i saktë për hezitimin, por kanë propozuar një komision të përbashkët ndërmjet dy vendeve për të parë plotësimin e kritereve të Kosovës.

“Është mungesë vizioni dhe lidershipi i BE-së që mos të japë përgjigje për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kriteret janë plotësuar dhe tejkaluar e mirëmbajtur. Jemi në gjendje të punojmë me gjithë shtetet skeptike për t’i bindur për liberalizim të vizave. Për katër muaj kam arritur të diskutoj virtualisht me ministrat e Jashtëm të BE-së. Shumica prej tyre janë përkrahës, e kemi presidencën gjermane e cila është duke angazhuar. Homologu holandez nuk ka shprehur shqetësim të saktë për mospërkrahje të liberalizimit të vizave”, tha ajo.

Top Channel