Respektimi i masave ndaj COVID-19, inspektohen autobusët në Prishtinë

21/10/2020 15:27

Si masë për parandalimin e përhapjes së virusit, institucionet shëndetësore obliguan qytetarët me vendosjen e maskës, në të kundërtën ata do të gjobiten sipas Ligjit për pandeminë COVID-19.

Maska është bërë obligative edhe në autobusë. Për të inspektuar se sa po respektohen këto masa nëpër autobusët e Prishtinës, inspektorati bëri inspektime gjatë së mërkurës.

Drejtori i Inspektoratit në komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka treguar se janë bërë inspektime nëpër stacionet kryesore të kryeqytetit.

Ndërkaq ka ritheksuar gjobat të cilat shqiptohen në rast të mosrespektimit të distancës për udhëtarin, por edhe për kompaninë.

“Sot, Inspektorët e Rendit Komunal bashkë me Policinë e Kosovës kanë inspektuar transportin e udhëtarëve nëpër stacionet kryesore të Kryeqytetit. Zbatimi i masave që parandalojnë shpërndarjen e virusit është detyrim i të gjithëve – në këtë rast i shoferëve të autobusëve/taksive, dhe i kompanive. Gjoba për mungesë të distancës është 200 euro për përgjegjësin, 500 euro për kompaninë. Drejtoria e Inspekcionit do të jetë në koordinim të vazhdueshëm me Policinë dhe inspektoratet e nivelit qendror, ashtu që të gjithë bashkë të jemi në krye të detyrës dhe të ndikojmë në përmirësimin e shëndetit publik”, ka shkruar Tahiri.

Top Channel