Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka kërkuar kryeministrit Avdullah Hoti të mos hapë tema të reja teknike në dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij kreu qeveritar duhet të miratojë një platformë në Kuvendin e Kosovës ku thuhet se Asociacioni i Komunave Serbe është temë e mbyllur. Hoxhaj shprehu shqetësimin e tij edhe për përfshirjen e Kosovës në nismën rajonale të mini-shengenit.

Hoxhaj në seancën e sotme plenare kritikoi kryeministrin edhe për vendimin e mosaplikimit në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Përveç mos aplikimit në organizata ndërkombëtare ka një përpjekje të Serbisë edhe këto dy-tri javët e fundit, aty ku jemi anëtarësuar të suspendohet anëtarësimi. Aty ku jemi anëtarësuar , mos me pas të drejtën e votës, mos me pagua pagesën e anëtarësisë. Mos me pas të drejtën me zgjedh dhe mos m’i marrë as përgjegjësitë dhe privilegjet”, tha ai.

Ai tha se mini-shengeni është një rreth i dytë për të izoluar Kosovën.

“Mini-shengeni është një rreth i dytë për të izoluar Kosovën në rajon. Nuk po them asgjë të re se e kemi thënë edhe para 4-5 viteve. Nuk mund të ketë një bashkëpunim rajonal të barabartë pa zgjidhjen e një teme kyçe rajonale pa zgjidhjen e një teme kyçe që është dialogu Kosovë-Serbi. Nuk mund të ketë bashkëpunim rajonal kur vendet nuk e njohin njëra-tjetrin…qeveria duhet të bie në Kuvend ligj se si duhet t’i qaset mini-shengenit. Kjo vetëm rezolutë, jo vetëm një rregullore. Loja rreth tij und të jetë më e komplikuar. Mini-shengeni mund të jetë përpjekje për të shfuqizuar kapitullin 35 që Serbia e ka kusht për të njohur Kosovën”, tha ai.

Ndërsa për t’i hequr dilemat për asociacionin, Hoxhaj kërkoi miratimin e një platforme në Kuvend ku theksohet se kjo temë është e mbyllur.

“Nuk është vonë që qeveria të sjell një platformë në Kuvendin e Kosovës për dialogun. Sikur të kishte platformë me një fjali se asociacioni është temë e mbyllur. Vendimi i Gjykatës është rruga e vetme për të shkuar përpara, ma merr mendja që kur është kanë Lajçaku në Prishtinë kryeministri ju ia kishit thanë qatë fjali dhe gjithë ata që e kishin votuar. Prandaj jam hapur dilemat se nëse diskutohet për Asociacionit, a do të diskutohet për kompetencat e tij…mos e zgjatini këtë dialogun teknik se ka me pas tema të reja dhe nuk është në interesin as të juaj dhe as tonin si vend”, tha ai./E.Zeqiri

Top Channel