Me një dalje radikale të Britanisë së Madhe nga BE blegtorëve britanikë u rrezikohet ekzistenca. Për çdo kokë bagëti dogana për eksportin arrin në rreth 40%. Kryesisht sipërmarjet e vogla mund të preken nga falimentimi.
Ata merren me blegtori që prej tre- katër brezash. Frank Langrish dhe i biri Ed, kanë 5000 kokë bagëti që i mbajnë në Kent, të Anglisë jugore. Ata e shohin Brexit-in me shqetësim, sidomos nëse ai mbyllet në mënyrë të çrregullt dhe pa ndonjë kontratë me BE-në. “Gati gjysma e bagëtisë sonë eksportohet, shumica në vendet e BE. Nëse në të ardhmen vendosen mbi eksportin taksa 40 ose 50 përqind siç thotë Organizata Botërore e Tregtlsë, atëherë kjo do të ndikonte shumë tek çmimet.”
Natyra kënetore e Kentit nuk mund të mendohet pa bagëtinë. Ato ndihmojnë që bari të mos rritet.
Brexiti sjell vonesa dhe kontrolle
Sot merret vendimi cilat qingja do të dërgohen në thertore. Therja e tyre bëhet në Britaninë e Madhe. Më pas mishi transportohet në Francë. Frank Langrish: “Francezëve u pëlqejnë shumë qingjat si këto tanët. Ata duan që qingjat e therur të peshojnë rreth 18 kilogramë dhe të mos jenë shumë të dhjamur. Ata kanë shumë pretendime. Dhe i kushtojnë shumë rëndësi cilësisë. Kështu që u shesim qingja të ushqyer me bar.”
Që nga ferma e Langrishëve në ditë të kthjellëta mund ta shohësh me sy Francën. Delet nga Kenti përfundojnë një ditë në tavolinat e francezëve. Si i ati ashtu dhe i biri ishin fillimisht kundër Brexit-it. Ata kanë frikë se në të ardhmen do të kontrollohen në kufi dokumentat, kështu që do të ketë harxhim kohe dhe vonesa, thotë Frank Langrish: “Aktualisht bagëtia shkon nga thertorja në një frigorifer. Dhe zakonisht mëngjesin tjetër dodhet në treg në Paris. Por nëse do të ketë vonesa atëherë do të kemi probleme.”
Ndërkohë që shumë bujq, edhe fqinjët e Langrishëve janë pro Brexitit. Ata mendojnë se BE ka qenë gjithjë burokratike. Por në të ardhmen, do të ketë shumë më tepër letra për të ujdisur për ata që ndodhen jashtë tregut të BE, mendon Frank Langrish. “Sidoqoftë më pak letra nuk do të ketë. Zyrtarëve tanë u pëlqejnë shumë letrat. Shumë fshatarë nuk kanë pasur të drejtë kur kanë fajësuar BE-në për burokraci, sepse janë njerëzit tanë ata që këmbëngulin më shumë për letrat.”
Mbyll sytë dhe vazhdo përpara
A janë penduar vallë shumë banorë të fshatit që kanë votuar fillimisht për Brexitin? Në ankandin e kafshëve që bëhet në fundjavë mblidhen shumë fshatarë. Brexiti mund të jetë më i ashpër se ç’ishte menduar, thonë shumë fshatarë. Duket që për shumë prej tyre motoja është tani mbyll sytë dhe vazhdo përpara. Një fermer thotë: “Ne duhet të bëjmë më të mirën e mundshme në këtë situatë, pavarësisht nga taksat.” Një tjetër mendon: “Në fund do të bëhet më mire për ne. Por në fillim do të jetë e vështirë.”
Shumë fshatarë nuk do të jenë në gjendje ta kapërcejnë periudhën e Brexitit pa subvencione nga shteti, sidomos po nuk pati pakt për tregtinë e lirë.
Ed Langrish indinjohet nga kjo gjë. “Unë nuk mund të them sa shumë gënjeshtra janë thënë. Se çdo gjë do të kalojë mirë, se në kufi nuk do të ketë rradhë, se marrëveshja e tregëtisë së lirë është marrëveshja më e thjeshtë në botë. E kështu me radhë. Të gjitha budallallëqe.” Megjithatë si i ati dhe i biri shpresojnë që fëmijët e Edit të drejtojnë në të ardhmen biznesin, duke qenë brezi i pestë që merret me blegtori. Sepse natyra në Kent ka nevojë për delet dhe për blegtorët. DW/
Top Channel