​Asociacioni, Hoti zotohet se s’do të lejohet shkelja e rendit kushtetues në Kosovë

21/10/2020 19:02

Kryeministri Avdullah Hoti është shprehu i sigurt se tema e themelimit të asociacionit të komunave serbe në Kosovë nuk do të hapet në procesin e dialogut në Bruksel.

Hoti gjatë interpelancës në Kuvend mbi temën e asociacionit, u shpreh se nuk do të lejohet të ketë shkelje të rendit kushtetues në vend.

“Qëndrimi jonë është shumë i qartë. Kjo temë nuk hapet në kuadër të bisedimeve në dialog me Serbinë, pasi kemi një marrëveshje që është arritur, nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend më 2013. Përveç kësaj, ekziston edhe marrëveshja e parimeve për asociacionin e vitit 2015 dhe aktgjykimi i Kushtetueses për këtë çështje. Çdo veprim në këtë rrafsh do të bëhet në pajtim me këto”, u shpreh Hoti.

Sipas tij, nuk do të ketë pajtim për asnjë temë me Serbinë, nëse nuk pajtohen për të gjitha.

“Nuk do të lejohet asnjë ndërhyrje dhe shkelje të rendit kushtetues të Kosovës. Më lejoni të ritheksoj se për gjitha temat që diskutohen në dialog nuk ka pajtim për asgjë nëse nuk pajtohemi për të gjitha. Në rend të parë për njohjen reciproke”, tha Hoti./Kosova Press/

Top Channel