Ulje taksash në 2021/ Në buxhet, ulet taksa për biznesin e vogël dhe për naftën e bujqësisë

20/10/2020 19:34

Viti 2021 nuk do të ketë një paketë të mirëfilltë fiskale. Të vetmet ndryshime që janë bërë në draftin më të rëndësishëm të financave publike në drejtim të politikave fiskale janë ato për zerimin e disa taksave për biznesin e vogël, të cilat do të shoqërohen edhe me efekte në buxhetin e shtetit.

Më konkretisht, tashmë prej 1 janarit të vitit të ardhshëm bizneset me xhiro vjetore nga 5 deri në 8 milionë lekë nuk do të paguajnë më tatim të thjeshtuar mbi fitimin, ndryshim që pritet t’i sjellë buxhetit të shtetit një efekt prej 350 milionë lekë, ekuivalente me 2.8 milionë euro.

Ndërkaq, subjektet me qarkullim vjetor nga 8 deri në 14 milionë lekë po ashtu do të lehtësohen nga tatimi mbi fitimin, pasi me ndryshimet e reja do të paguajnë zero lekë për këtë taksë, nismë e cila përllogarit rreth 300 milionë lekë më pak për arkën e shtetit.

Rritja e pragut të TVSH nga 2 milionë në 10 milionë lekë, çka do të thotë se bizneset me të ardhura deri në 10 milionë lekë përjashtohen nga kjo taksë prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, pritet të sjellë një efekt negativ në të ardhura në rreth 3 – 4 miliardë lekë.

Prej vitit të ardhshëm do të rritet edhe paga minimale në vend nga 26 mijë në 30 mijë lekë për efekt të llogaritjes së kontributeve, masë kjo e miratuar tashmë nga Këshilli Kombëtar i Punës që pritet të sjellë një efekt në të ardhura për rreth 3 miliardë lekë, ekuivalente me 24.1 milionë euro.

Ndryshime janë bërë edhe në heqjen e akcizës së naftës për fermerët, ku përfitues do të jenë rreth 83 mijë të tillë e cila do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 1 miliardë lekë.

Top Channel