“Tomka dhe shokët e tij” në SHBA/ Shfaqet në kanalin që transmeton filmat më të mirë klasikë të viteve ‘80

20/10/2020 19:50

Turner Classical Movies, kanali televiziv amerikan i cili në programacionin e tij përfshin vetëm filmat më të mirë klasikë të krijuar deri në fillim vitet 80-të, për herë të parë do të transmetojë sot në orën 21.15 një film shqiptar, një nga më të njohurit dhe më shikuarit e regjisores Xhanfise Keko dhe kinemasë shqiptare, “Tomka dhe shokët e tij”.

Programimi i këtij filmi në TCM e vë autoren Xhanfise Keko mes më të mirëve të historisë së kinemasë duke krijuar shtratin e sjelljes pranë audiencës botërore edhe të titujve të tjerë nga krijimtaria e saj. Përzgjedhja që ky kanal televiziv i ka bërë filmit “Tomka dhe shokët e tij” është rrjedhë logjike e udhëtimit që ka bërë filmi përgjatë gjashtë viteve të fundit që prej momentit të restaurimit të tij nga Libraria e Kongresit Amerikan në Washington në bashkëpunim me ACP, fillimisht duke u shfaqur premierë në British Film Institute dhe Lincoln Center, duke vazhduar me turin e gjatë të shfaqjes në 11 qytete në Britaninë e Madhe si pjesë e programit “Kinemaja e fëmijërisë”, dhe më pas tributet e veçanta dedikuar regjisores Xhanfise Keko nga Danish Film Institute në 2018 dhe Vienna Film Museum në 2019, duke e bërë atë autoren më të vlerësuar në historinë e kinemasë shqiptare.

Shfaqja e filmit Tomka dhe shokët e tij nga kanali televiz amerikan TCM, është një lajm shumë i mirë jo vetëm për autoren e këtij filmi, regjisoren Xhanfise Keko, por dhe për vetë kinemanë shqiptare Ndaj, tashmë është koha që Ministria e Kulturës të nxitojë me fillimin e procesit të rimasterizimit të veprave më të mira të kinemasë tonë, se nesër mund të jetë vonë, jo vetëm për audiencën ndërkombëtare por dhe për faktin se ato janë në procesin e amortizimit fizik.

Top Channel