Kaosi urban, pasojat e tërmetit të shkaktuara dhe nga ndërtimet jocilësore, si dhe nevoja për më shumë gjelbërim janë fiksuar në dy murale urbane, që i kanë dhënë jo vetëm ngjyra dhe gjallëri, por edhe mesazhe kuptimplote.
“Librat simbolizojnë kolonat e dijes dhe janë ato që mbajnë fort një shoqëri dhe duke e ditur se në katastrofën e tërmetit shumica e gabimeve erdhi si pasojë e gabimeve njerëzore dhe kjo duhej vënë në dukje. Ndaj një shoqëri që të ndërtohet e rindërtohet mirë ka nevojë për dije. E kemi realizuar në këtë zonë të Durrësit, pranë shkollave dhe një zonë në rindërtim, pranë komunitetit dhe hapësirave publike”, shprehet Lysien Koçi, artist aktivist.
Përmes artit të rrugës dhe aktivizmit rinor, Lysien Koçi, piktor dhe mësues në liceun artistik të Durrësit, ka shfrytëzuar fasadat e pallateve në lagjet 4 dhe 16 për të përcjellë realitete dhe mesazhe për qytetarët.
“Gjë e bukur. E lezetshme. Ka dalë gjë e bukur dhe ka krijuar ndryshim në ambient. Shumë bukur. Jep shpresë, gjallëri dhe dëshirojmë të kemi të tjera si këto”, shprehen qytetarët.
“Kjo murale e dytë erdhi si rezultat i një konkursi idesh me nxënësit e shkollave të mesme. Muralja është një risi në qytetin e Durrësit në këto përmasa 150 m2. Ka ndikim në zonë dhe është një homazh për botën e gjelbër, një ide që buron nga nxënësit, të rinjtë si vendimmarrës, po edhe si krijues të kësaj ideje morën pjesë në këtë murale”, tha Lysien Koçi.
Nëpërmjet artit të rrugës, autorët synojnë të ndërgjegjësojnë shoqërinë, po dhe vendimmarrësit mbi nevojat e komunitetit. Edukimi, gjelbërimi dhe nevoja për të qenë bashkë në ditë të vështira është ajo që i karakterizon këto murale që pritet të pasohen nga të tjera.
Top Channel