Hapet edhe BiblioTech 4 në Tiranë, transformohen bibliotekat publike në lagje, Veliaj: Të rinjtë nuk kanë nevojë për birra, por për mundësi të aftësohen

20/10/2020 11:57

Projekti më i ri inovativ i Bashkisë së Tiranës dhe i UNICEF-it po transformon bibliotekat e Tiranës nga mjedise të thjeshta leximi, në inkubatorë të teknologjisë për fëmijët dhe të rinjtë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësuesi i UNICEF-it në Tiranë, Roberto de Bernardi, përuruan laboratorin më të ri inovativ, BiblioTech “Misto Treska”, e katërta në kryeqytet.

Kryebashkiaku shprehu besimin se edhe kjo nismë do të jetë një histori suksesi. “Ajo që na bashkon me UNICEF-in është investimi për dijen. Sot jam shumë krenar për këto katër pika të reja që hapim, janë vetëm 4 fara të para që mbjellim në Tiranë. Prirem të jem gjithnjë ai optimisti kronik dhe të shoh më të mirën, ndaj realisht ju uroj sukses të katër bibliotekave”, tha ai.

Veliaj u shpreh se ambicia e Bashkisë së Tiranës është t’u mësojë të rinjve profesionet e së ardhmes, dhe prova më e mirë për këtë janë hapja brenda një jave e disa akademive digjitale.

Ka gjithmonë një pyetje: Çfarë bën ti për rininë? ‘Jep peshk’ apo mëson si peshkohet? Ka plot që ‘japin peshk’. Kur bën një kamp veror, do pimë të gjithë birra apo kafe me filan politikan? Ok, gjë e mirë është, një birrë, një kafe. Por, është thjesht një ambicie shumë e vogël. Ambicia jonë është ‘të mësojmë si peshkohet’. Brenda 7 ditëve kemi hapur qendrën Tumo, u hap Software Development Academy, (Akademia e Zhvillimit të Software-ve), që në fakt është për një moshë më të madhe. Kurse me UNICEF-in bëmë këtë projekt, që vjen për të gjitha moshat”, theksoi ai.

Veliaj shtoi se Tirana dhe Shqipëria janë gati që të kapin revolucionin e katërt, që është ai digjital. Veliaj nënvizoi se përmirësimi i infrastrukturës dhe investime të tilla në çdo lagje sikurse bibliotekat, kanë rritur edhe vlerën e pronës së qytetarëve.

Unë e marr si kompliment kur njerëzit më thonë janë rritur shumë çmimet e pronës në Tiranë. A nuk do të ishte mëkat në fakt, të degjeneronte çmimi i pronës dhe mos të kishte asnjë vlerë? Pra, për një kryetar bashkie është lajm i mirë që është rritur vlera e pronës, që do të thotë infrastruktura, lehtësirat, investimet kanë bërë që prona të vlejë më shumë. Nuk besoj se ka një mënyrë më të mirë për të mbushur këto hapësira sesa me atë që është sot strategjia më e mirë për një komb, të ngarkojë të rinjtë e saj me aftësi digjitale, që munden të përkthehen në vende pune, në start-up apo në industri të reja”, theksoi ai.

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Tiranë, Roberto de Bernardi u shpreh se këto biblioteka të reja ofrojnë një mundësi për të gjithë.

Si në këtë bibliotekë, pra “Misto Treska”, por edhe në biblioteka të tjera publike, ku po zhvillohet i njëjti projekt, duhet të mbajmë parasysh se askush nuk duhet të mbetet pas. Si UNICEF, ndihemi shumë krenarë të shohim kontributin që kemi dhënë, në mënyrë që këto ide të materializohen. Edhe njëherë do të doja të falenderoja kryetarin e Bashkisë dhe ekipin e tij për zhvillimin e këtij projekti”, u shpreh De Bernardi.

BiblioTech “Misto Treska”, e vendosur në Njësinë 10 në Tiranë, “Musine Kokalari”, në Njësinë 7, “Hamit Beqja” tek Njësia 8 dhe “Aleksandër Moisiu” në Njësinë 4, ofrojnë jo vetëm kënde leximi, por edhe logjistikë të përshtatshme për edukim digjital, kodim, mjedise inovatore për startups, si dhe hapësira miqësore për fëmijët falë friendly WiFi. Filtrimi i internetit e bën përdorimin e tij nga fëmijët dhe të rinjtë më pak të rrezikshëm nga tentativat keqadashëse për të abuzuar, apo shfaqur imazhe të papërshtatshme online për minorenët. BiblioTech ofron edhe mjaft trajnime dhe aktivitete informuese.

Top Channel