Hakerat “Robin Hood”! Bamirësi me paratë e vjedhura

20/10/2020 12:16

Një grup hakerash po dhuron paratë e vjedhura për bamirësi në atë që konsiderohet si një risi për krimin kibernetik dhe që po huton ekspertët.

Hakerat pretendojnë se kanë marrë miliona dollarë nga kompanitë, por thonë se tani duan ta bëjnë botën një vend më të mirë. Në një postim në atë që quhet Dark Web, banda postoi faturat për 10 mijë dollarë në bitcoins që i ishin dhuruar dy organizatave bamirëse. Një prej tyre, Children International thotë se nuk do t’i mbajë paratë. Lëvizja konsiderohet si e habitshme dhe trazuese, si moralisht ashtu edhe ligjërisht. Në një postim në rrjet më 13 tetor, hakerat pretenduan se ata kanë në shënjestër vetëm kompanitë me fitime të mëdha, të cilave u dërgojnë viruse në këmbim të parave.

Ndërhyrja e tyre i merr peng sistemet IT të organizatave, deri sa paratë të paguhen.

“Ne mendojmë se është e drejtë që një pjesë e parave që kompanitë kanë paguar t’u shkojnë organizatave bamirëse. Pavarësisht se sa e keqe mendoni se është ajo që bëjmë, ne jemi të kënaqur që ndihmojmë për të ndryshuar jetën e dikujt. Sot ne kemi dërguar edhe donacionet tona të para”.

Kriminelët kibernetikë postuan donacionet bashkë me faturat që kishin marrë në shkëmbim për 0.88 bitcoinët që i kishin dërguar dy organizatave bamirëse, The Water Project dhe Children International. Kjo e fundit mbështet fëmijët, familjet dhe komunitetet në Indi, Filipine, Kolumbi, Zambia etj. Ndërsa The Water Project punon për të rritur aksesin tek uji i pijshëm në Afrikën Qendrore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA