“Çohet Presidenti që vetëm President s’është”/ Rama: Çfarë do tjetër ta besosh Covid-in kur e gjithë bota…

20/10/2020 11:50

Gjatë fjalës së tij, përballë një rrjeti inspektorësh antiCovid, të cilët do të jenë në krye të detyrës në rrugë e në mjedise të mbyllura, për zbatimin e masave nga qytetarët dhe bizneset, kryeministri Edi Rama u shpreh se sot jemi ne dhe gjithë bota para një enigme, asaj se çfarë do të ndodhë nga përzierja e dy armiqve, të gripit sezonal dhe Covid-it, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e mbajtjes së maskës.

“E dinë të gjithë që gripi ta dobëson trupin dhe në një trup të dobësuar nga gripi sezonal, të vjen ky tjetri futet në trup dhe mund të bëjë kërdinë. Kancelarja u bënte thirrje gjermanëve të mos shkonin në aktivitete, në festa, në dreka, në darka jashtë shtëpie nëse nuk e kishin të domosdoshme. Për çfarë arsye? Edhe për këtë arsye, me ajrin e kondicionuar, të qëndruarit pa maska në restorant, je shumë më i ekspozuar”.

Rama nuk kurseu tone të forta kritike ndaj Presidentit Ilir Meta.

“Aplikojmë gjoba prej ditës së parë, kemi vendosur një gjobë për maskën dhe çohet Presidenti i Republiëks dhe flet për mbajtjen e maskës si shantazh ndaj lirive, ndaj të drejtave të njeriut, se për të që vetëm President nuk është s’ka rëndësi fare asgjë tjetër, vetëm se si të helmojë, të dëshpërojë popullin e vet në mënyrë që pastaj kur të vijnë zgjedhjet të mbledhë ç’të mundet për atë SHPK-në e tij. Imagjinoni mbretëreshën e Anglisë të dalë të thotë që gjoba për maskën që është nga më të lartat në Britani është shantazh ndaj lirive dhe të drejtave, imagjinoni të dalë kancelarja, presidenti i Gjermanisë, presidenti i Italisë,  ndërkohë që sot gjoba në një New York shkon deri ne 15 mijë dollarë për shkelje të rregullave dhe për mosvendosjen e  maskës aty ku maska është e detyruar, vetëm kur vrapon mund të mos mbash maskë, në vendet e Evropës shkon mesatarisht 1 mijë euro. Kjo është luftë, nuk e kemi zgjedhur ne, na ka zgjedhur, si mund të çohesh dhe të thuash shantazh, si mund të bësh karshillëqe të tilla sikur je në pyll. Në Shqipëri gjoba 3 mijë lekë, më shumë si një mjet disiplinimi është një shtysë për të rritur sensibilizimin se në fund të ditës edhe kjo vlen dhe të gjitha mjetet duhen përdorur. Janë vendosur 2800 gjoba këto 5 ditë, por sa janë evituar? Janë evituar dhjetëra mijëra të tjera, sepse njerëzit edhe për shkak të gjobës kanë vënë maska. Çfarë do tjetër ta besosh Covid-in kur e gjithë bota është alarmuar, s’mund të çmendet e gjithë bota, demokracitë më të mëdha. Këto janë marrëzi të papara, të cila stimulohen edhe nga këto media që përpara audiencës përpara likeve nuk pyesin as për njerëzit e tyre që punojnë aty, as për familjarët. Rrjeti juaj është për të vënë gjoba, ne të gjithë këtë luftë se kemi para si luftë pushteti, e kemi parë si një luftë të përbashkët, ne kemi detyrën tonë, çdo qytetar të vetin, në këtë aspekt kemi qënë shumë të vëmendshëm që të tatimeve të mos u bëhen havale njerëzve në një fazë kaq të vështirë kur kanë hapur bizneset pas një mbylljeje që solli pasoja. Kemi hequr takën për biznesin e vogël, bashkë më TVSH-në, e kemi bërë zero”.

“Ju kemi hequr nga qafa inspektorët, kontrollorët. Ju jeni engjëjt mbrojtës të njerëzve. Del ky tjetri, Coli me Lolin. Kapacitetet janë ezauruar, spitalet janë tejmbushur, njerëzit po lihen rrugëve, çfarë janë këto? Këto janë skandale morale të pagëlltitshme, sepse faktikisht sot ne jemi absolutisht të përgatitur për më të keqen, por duam që ta mbajmë të keqen larg. Nëse ne nuk bëjmë secilën tonën, mund të mbushen në një kohë të shpejtë. S’kemi patur problem asnjë sekond për oksigjen, fatmirësisht s’ka qenë nevoja për më shumë.. s’ka asnjë medikament që përdoret në Amerikë, në Francë, Gjermani dhe nuk është këtu për Covid-in, i kemi ndjekur në kohë reale dhe veprojmë në kohë reale, edhe trajtimi i posaçëm me plazmën doli në Itali menjëherë sollëm mjekët italianë. Edhe flasin këta, këta që Zoti e deshi Shqipërinë që s’erdhi Covid-i kur e kishin këta në dorë, atëherë do thoshim s’dimë kush është e keqja më ë e madhe: Covid-i apo këta. Si përfundim s’më mbetet tjetër të përsëris që s’jemi në këtë luftë as vetëm as të vetmit, jemi thjesht dhe vetëm një nga hallkat e një zinxhiri shumë të gjatë shtetesh, jeta që njohim do rikthehet thotë kancalarja, por ky është momenti që të kujdesemi më shumë për njëri-tjetrin, është momenti të bëjmë më shumë durim, përfytyroni të fillojmë prapë më karantinë. Virusi nuk ikën vetë, do kërkojë kohën e vet, vaksina nuk ka dalë, nuk e dimë kur do dalë, do dhe ajo kohën e vet”.

Top Channel