Rusia rekord infeksionesh me koronavirus, afro 16 mijë raste në 24 orë

19/10/2020 12:31

Numri i të diagnostikuarve me koronavirusin e ri (COVID-19) deri më tani në Rusi ka shkuar në 1.415.316, ndërsa bilanci i viktimave ka arritur në 24.366, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Infeksioneve të Koronavirusit njoftoi se në 24 orët e fundit janë diagnostikuar 15.982 raste të reja me virusin, që është shifra më e lartë ditore në vend deri më tani, dhe 179 të vdekur.

Numri i të shëruarve ka arritur në 1.075.904, me 5.328 të shëruar në 24 orët e fundit.

Në Moskë janë regjistruar 5.376 raste të reja, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 367.629, ndërsa numri i të vdekurve në kryeqytetin rus ka mbërritur në 6.009, me 51 viktima të reja.

Nga ana tjetër, Shërbimi i Shëndetit Publik dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorit bëri të ditur se deri më tani në Rusi janë kryer mbi 54,3 milionë teste, përfshirë 449 mijë në 24 orët e fundit.

Ndërkohë, në Moskë ka hyrë në fuqi një masë e re kundër pandemisë, sipas së cilës, qytetarët duhet të marrin leje të posaçme për të shkuar në bare dhe klube të natës.

Sipas masës, qytetarët në objekte të zbavitjes nga ora 00:00 deri në ora 06:00 mundë të hyjnë duke marrë një kod QR përmes numrit të telefonit, i cili kontrollohet në hyrje të lokalit. Personat ose bizneset që shkelin këtë masë do të dënohen me gjoba të ndryshme.

Rasti i parë me COVID-19 në Rusi u zbulua më 31 janar, ndërsa vdekja e parë u regjistrua më 19 mars.

Më 1 shtator në Rusi filloi viti shkollor, ndërsa brenda institucioneve arsimore u bë e detyruar mbajtja e maskave dhe distancës fizike.

Top Channel