Protesta “antimaska”/ Përleshje në Çeki, kundër masave shtrënguese për Covid-in

19/10/2020 11:35

Policia është përballur me protestuesit kunder masave shtrënguese antiCovid në Republikën Çeke.

Policia e ndërhyrjes së shpejtë ka mbushur sheshin e qytetit të vjetër në Pragë me kuaj dhe mjete të blinduara pasi protestuesit, mes një turme prej rreth 2 mijë vetësh, i qëlluan me shishe e gurë. Policia përdori gazin lotsjellës dhe ujin me presion, pasi protesta u bë e dhunshme.

Tubimi i të dielës ishte organizuar nga të ashtuquajturit fansa ultras të futbollit dhe hokeit në akull, të zemëruar nga kufizimet e shtuara që hynë në fuqi pas rritjes së madhe të rasteve të koronavirusit në Republikën Çeke, që aktualisht është edhe vendi më i goditur në Evropë për sa i takon numrit të popullsisë.

Të premten, vendi raportoi një rekord prej 11105 rastesh dhe 8713 të tjerë u raportuan të shtunën. Javën e kaluar, baret dhe restorantet u urdhëruan të mbylleshin dhe shkolla është zhvendosur online. Dyqanet mbeten të hapura.

Sidoqoftë, vendi duhet të presë edhe të paktën dy javë të tjera për të marrë një vendim nëse do të urdhërohet apo jo një izolim i plotë për të ndaluar epideminë – tha zëvendëskryeministri Karel Havlicek.

Top Channel