Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka marrë pjesë në një takim me delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr ndihmësi i parë i zëvendës sekretarit të Departamentin të Energjisë, Matthew Zais, përfaqësues tjerë nga Departamenti i Energjisë, Shtëpia e Bardhë dhe agjencione tjera në administratën amerikane.

Qëllimi i këtij takimi ishte implementimi i pikave të marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, të cilat lidhen me diversifikimin e burimeve të sektorit të energjisë, si dhe studimin e fizibilitetit për liqenin e Ujmanit.

Ministri Kuçi në ekspozenë e tij rreth strategjisë së ardhshme të energjisë dhe diversifikimit të burimeve, tha se kjo strategji do të mbështetet në pesë shtylla: burimet e energjisë së ripërtërirë, burimet e linjitit, burimet e gazit, aplikimi i masave efiçiente të energjisë dhe integrimi në tregun rajonal.

Mbi këtë bazë, ministri Kuçi u zotua për projektet konkrete që do të trasojnë rrugën për jetësimin e këtyre objektivave.

Në aspektin e studimit të fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, si një nga pikat e veçanta, ministri Blerim Kuçi paraqiti një historik të shkurtër të ndërmarrjes publike “Iber-Lepenci”, e cila që nga viti 1967 operon dhe menaxhon me asetet ekzistuese, përfshirë edhe liqenin.

Kuçi tha se mirëpret angazhimin e Departamentit të Energjisë së SHBA-ve, për një studim fizibilitetit serioz, i cili do të rezultonte me investime shumë të nevojshme për këtë resurs strategjik të Kosovës.

Me qëllim të implementimit të suksesshëm, Qeveria e Kosovës do të procedojë planin aksional që do të koordinojë punën me grupe teknike vendore për marrëveshjen e Uashingtonit.

Nga ana e tij, ndihmësi i parë i zëvendës sekretarit të Departamentin të Energjisë, Matthew Zais përsëriti edhe njëherë zotimin e SHBA-ve në mbështetje të Kosovës, në funksion të diversifikimit të burimeve të energjisë, rritjes së sigurisë së furnizimit dhe tranzicionit gradual drejt burimeve të qëndrueshme të energjisë.

Top Channel