Sinjale pozitive vijnë nga eksportet shqiptare. Pas goditjes që morën për 6 muaj radhazi për shkak të pandemisë, Instat raporton se gjatë shtatorit kanë arritur në 25 miliardë lekë, në rritje të lehtë me 1.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës. Megjithatë, pavarësisht rikuperimit mbeten sërish larg situatës normale të një viti më parë.

Kjo si pasojë e tendencës rënëse që kanë ndjekur në muajt mars-gusht, duke bërë kështu që për 9-mujorin të arrijnë vlerën e 195 miliardë lekëve, në rënie të fortë me 13.6% kundrejt vitit të kaluar.

Kontributin më të madh në përmirësimin e eksporteve e kanë dhënë grupet “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi si dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” zëri i” përkatësisht me 3.5 dhe 3%, teksa produktet ushqimore, pijet dhe duhani vijojnë të mbeten sektori më pak i afektuar nga pandemia, pasi kanë shënuar një rritje me 0.9%.

Nga ana tjetër, goditja më e fortë ka ardhur nga tkurrja e eksporteve të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike me 5.3%, ndjekur nga tekstilet dhe këpucës.

Pas përmirësimit që shënuan në gusht, eksportet e fasonëve iu rikthyen sërish rënies muajin e kaluar me 1.3%, e paralajmëruar më herët edhe nga vetë përfaqësuesit e sektorit për shkak të mbylljes së kontratave me vendet fqinje.

Gjatë muajit Shtator, Shqipëria sipas Instat ka parë rritjen më të madhe të eksporteve drejt Francës, Greqisë dhe Kosovës, teksa janë tkurrur ndjeshëm ato drejt Italisë fqinje, Spanjës dhe Malit të Zi.

 

 

 

 

Top Channel