BE-ja kërkon nga Azerbajxhani dhe Armenia që të respektojnë armëpushimin me rigorozitet

19/10/2020 11:49

Me anë të një komunikate me shkrim mbi situatën në Karabakun Malor, Borrell u shpreh i kënaqur për armëpushimin që filloi mesnatën e 18 tetorit ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë. Megjithatë ai shprehu edhe keqardhjen e tij për shkeljen e armëpushimit në Karabak duke theksuar se civilët po vuajnë si pasojë e luftimeve.

“Popullsia në Karabak ka vuajtur tashmë shumë. Konflikti ka shkaktuar viktima civile në shkallë të gjerë dhe të papranueshme. BE-ja dënon me forcë të gjitha sulmet e tilla pavarësisht origjinës së tyre”, tha ai.

Duke bërë me dije se ka biseduar në telefon me ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Armenisë, Zohrab Mnatsakanyan, shefi i diplomacisë evropiane theksoi se armëpushimi duhet të jetë i pakushtëzuar dhe i respektuar me rigorozitet nga të dy palët.

“Unë gjithashtu nënvizova që sulmet ndaj civilëve duhet të ndalen menjëherë. Sulme të këtilla janë të pajustifikueshme. Përsërita se BE-ja mbetet e gatshme të mbështesë palët dhe Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) në një zgjidhje afatgjatë të konfliktit. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të monitorojë situatën”, thuhet në fund të komunikatës së Borrellit./trt shqip

Top Channel