Në të gjithë botën numri i të prekurve nga koronavirusi i ka tejkaluar të 40 milionë rastet. Sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins prej mëngjesit të së hënës 40,050,902 vetë janë infektuar me koronavirus ndërsa më shumë se 1,1 milion kanë vdekur.

SHBA vazhdon të udhëheqë botën për sa i takon rasteve me COVID-19, me 8.1 milionë të infektuar dhe rreth 220 mijë të vdekur.

Ndërkohë ndërsa disa qytete në Itali, Francë e Britani po vendosin kufizime të reja për të zbutur një valë të dytë të virusit, në Australi qyteti i Melburnit po del ngadalë nga tre muaj bllokimesh të rrepta si pasojë e koronavirusit. Masat lehtësuese vijnë ndërsa kryeqyteti i shtetit të Viktorias raportoi vetëm dy raste të reja me koronavirus të dielën dhe asnjë vdekje. Autoritetet kishin raportuar për më shumë se 700 infeksione të reja ditore në kulmin e ringjalljes së virusit në korrik.

Ndërsa shkencëtarët në të gjithë botën janë në garë për të prodhuar një terapi trajtimi apo vaksinë kundër koronavirusit të ri, firma bioteknologjike me bazë në SHBA Vaxart, një prej shumë kompanive që po punojnë për vaksinën, ndodhet nën hetim federal mbi akuza për ekzagjerim të shkallës së përfshirjes në një program prej disa miliarda dollarësh të administratës Trump mbi prodhimin e vaksinave. Programi (Operation Warp Speed) një partneritet publik-privat, iniciuar nga administrata Trump, synon të lehtësojë dhe përshpejtojë prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave apo terapive kundër COVID-19.

Në një njoftim për shtyp në qershor kompania pretendonte se vaksina e saj eksperimentale që merrej nga goja, ishte zgjedhur nga ky program, gjë që bëri që vlera e çdo aksioni të saj të rritej nga 3 në 17 dollarë. Një kompani investimi që kontrollonte pjesërisht kompaninë Vaxart shiti të gjitha aksionet e saj, duke siguruar një fitim prej 200 milionë dollarësh.

Por qeveria zbuloi më vonë se Vaxart nuk kishte marrë asnjë fond nga programi dhe se vaksina e saj ishte përfshirë vetëm në një studim paraprak që lidhej me kafshët. Kompania po hetohet nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Bursës si dhe Departamenti i Drejtësisë si dhe po përballet gjithashtu me padi të shumta nga aksionerët.

Top Channel