​Zemaj: S’ka masa të reja shtrënguese, gastronomët t’i respektojnë rregullat antiCOVID-19

19/10/2020 21:32

Gastronomia është njëri prej sektorëve më të goditur si pasojë e mbylljes gjatë pandemisë me koronavirus.

E derisa nga Shoqata e Gastronomeve të Kosovës pranojnë se nuk i kanë respektuar masat antiCOVID-19, ministri i Shëndetësisë thotë se kjo ka qenë pikërisht edhe arsyeja e mbylljes e disa prej tyre.“Disa prej lokaleve të gastronomisë që nuk kanë respektuar masat antiCOVID-19, kanë marrë gjoba nga inspektorati sanitar dhe ka pasur edhe mbyllje të tyre. Nëse respektojmë masat dhe kemi disiplinë, nuk ka nevojë për masa të tjera.

Ai që mban dasma dhe grumbullon 200-300 vetë dhe nuk i respekton masat antiCOVID-19, ai do të mbyllet, por ne nuk do t’i mbyllim të gjithë gastronomet”, tha Zemaj në Prime Time në Kanal 10.Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, tha se nga sot kanë nisur një fushatë vetëdijesimi, në mënyrë që të mos shkelen rregullat dhe të vijë deri te një mbyllje e re eventuale.“Është e vërtetë që janë shkelur masat, por po luftojmë që të mos ndodhë kjo. Ndaj çdo shkelje individuale le të merren masa ndaj bizneseve dhe jo në përgjithësi”, u shpreh ai.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se janë duke përcjellë numrin e rasteve të reja me koronavirus dhe se do të ketë edhe katër aparatura shtesë për teste, gjë e cila do të ndihmojë në ngritjen e numrit të personave të testuar gjatë ditës./Kosova Press/

Top Channel