Veliaj: SPAK hetim Bashës për gjoba/ Kryebashkiaku: Ju prish pazari për plehrat në kohën e tij

17/10/2020 15:23

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i kërkon SPAK-ut dhe prokurorisë që të hetojnë Lulzim Bashën dhe kunatin e tij në lidhje me gjobat që u vendosin bizneseve.

Duke folur nga Kombinati, Veliaj u shpreh se Lulzim Basha, çdo protestë që ka nisur e ka lënë përgjysmë, sapo ka marrë gjobën e radhës.

“Ore ky SPAK-u, çfarë bën? Si mund të jetë kryetari i bashkisë me kunatin e vet dhe të jenë në çdo lloj biznesi, në çdo lloj biznesi? Jo vetëm kaq, jo vetëm që ishte 30% më lart dhe ne e ulëm, por ai thoshte – Që në fillim qyteti i Tiranës duhet të paguajë 34.6 milionë euro me investimet. Ne sot s’paguajmë fare. Ne paguajmë për ton, plehrat që mblidhen, i marrim, shkojnë peshohen dhe i themi – Na sillni faturën vetëm për plehrat që sjellim, jo të paguajmë ne investimin, paguajeni ju investimin me lekët që ju japim për plehrat. Dhe pyetja për një demokrat të fundit që mund të ketë ngelur në Kombinat është – O shoku, të përdori “mish për top” te Astiri, të torturoi 3 vjet, ku është Astiri sot?”

Në lidhje me çështjen e impiantit të Sharrës, Veliaj deklaroi se halli i Bashës është pazari i prishur me kompaninë që do menaxhonte plehrat në kohën e tij, e cila do i kushtonte qytetarëve shumë herë më shtrenjtë.

“Propozimi i Lulit, para se të ikte, ishte: 37 euro/ton, ne e kemi 30% më pak, 29euro/ton. Sigurisht, për Lulin, që thotë “6 nga 4 biznese”, rrezik 29 i duket më shumë se 37, por për 99.99% të të tjerëve, 29 është me e vogël sesa 37. Pra, Luli e kishte çmimin 8 euro më shtrenjtë për çdo ton plehrash. Tirana prodhon 1 mijë ton në ditë, do të thotë që ky thoshte, 8 mijë euro duhet të paguajë taksapaguesi më shumë. Do të thotë që, në 365 ditë 3 milionë euro më shumë. Ky nuk qan hallin pse ne i kursejmë paratë popullit, ky qan hallin pse iu prish pazari, se ky thotë – Këto ishin për mua dhe për kunatin”,

Kreu i Bashkisë, i cili është njëherësh edhe drejtues politik për Tiranën i kërkoi çdo demokrati që të distancohet nga PD-ja dhe nga drejtuesit e saj, të cilët i përdorin njerëzit si “mish për top” për përfitimet e tyre personale.

Top Channel