Lionel Messi provoi largimin nga Barcelona gjatë kësaj vere, por këmbëngulja e drejtuesve dhe kontrata e vlefshme deri në fund të sezonit, bënë që të mbetej në “Camp Nou” të paktën edhe për këtë sezon.
Nën drejtimin e Ronald Koeman, Barcelona duket se është rikthyer të bëjë një lojë argëtuese dhe të shënojë shumë gola, pavarësisht se tekniku holandez ka në dispozicion një organikë të cunguar, që po zvogëlohet edhe më shumë nga dëmtimet.
Një nga ndryshimet që Koeman ka bërë te Barcelona është përdorimi i skemës 4-2-3-1, ndryshe nga ajo 4-3-3 që është përdorur vitet e fundit, ndërsa Lionel Messi po luan shpesh si sulmuesi i fshehur, me lirinë për të lëvizur në të gjithë hapësirën e sulmit dhe për të mos u dhënë pika referimi kundërshtarëve.
Kjo ka bërë që Messi të jetë më pak produktiv në aspektin e golave dhe asisteve, por më i vlefshëm për skuadrën, pasi krijon hapësira për lojtarë si Ansu Fati e Coutinho, të cilët vijnë nga pas krahëve për të dërguar topin në rrjetë.
Një gjë të tillë e pranoi edhe vetë Messi në një intervistë për mediat spanjolle, ku tha se mendon më pak për të shënuar vetë dhe më tepër për të ndihmuar ekipin. “Tani golin e kam më pak obsesion dhe provoj të kontribuoj sa të mundem për të ndihmuar ekipin të marrë rezultate”, u shpreh argjentinasi .
Sulmuesi 33-vjeçar është njeriu që ka shënuar më shumë gola për Barcelonën, plot 635 në 734 ndeshje, gjatë të cilave ka dhënë edhe 256 asiste.
Pikërisht për këtë arsye, shpesh skuadrat ndërtonin strategji ekstra për të bllokuar lëvizjen e argjentinasit në fushë, por me rolin e ri, Messi po ia del më së miri të tërheqë mbrojtjet kundërshtare dhe të lirojë hapësira për shokët e skuadrës.
Top Channel