Kosova është vënë në lëvizje për të zbatuar një pikë të marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington, më 4 shtator.

Ajo lidhet me rrjetin 5G dhe përdorimin e pajisjeve të teknologjisë nga shitës të sigurt. Për këtë qëllim, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u takua me përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), si organi më kompetent në fushën e komunikimeve elektronike.

“Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre”, deklaroi Hoti.

Në marrëveshjen për normalizim ekonomik të firmosur në praninë e  presidentit amerikan, Donald Trump, vendet u zotuan të ndalonin në rrjetin e komunikimit përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të jo të besueshëm. Shtetet e Bashkuara janë duke komunikuar me shumë vende në botë, për të kundërshtuar bashkëpunimin e tyre me kompaninë kineze Huawei dhe rrjetin e saj 5G.

Washingtoni e ka vendosur Huawein në “listën e zezë”, pasi vlerëson se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe e përdor teknologjinë e saj për të spiunuar në emër të qeverisë kineze.

Top Channel