Çdo gjë për të cilën është rënë dakord, duhet të zbatohet, tha të enjten në Beograd i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë ka pasur pajtim, ai “është nënshkruar dhe duhet të realizohet”, tha ai.

“Hapi i radhës është të flitet për statutin e Asociacionit”, tha diplomati sllovak në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Lajçak tha se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është në interesin e të dy popujve dhe të rajonit.

Sipas tij, parimi i tërë këtij procesi “është që në fund të mos ketë çështje të hapura ose të pazgjidhura”. Lajçak tha se nuk dëshiron të japë “afate artificiale” se kur mund të arrihet marrëveshja përfundimtare midis palëve, por shtoi se BE-ja do të ndihmojë që procesi të shkojë shpejt – “aq shpejt sa palët janë të gatshme të shkojnë”.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parashikuar me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkuar në Bruksel, në 2013. Dy vite më vonë u arrit një marrëveshje për themelimin e tij por gjykata Kushtetuese në Kosovë kosntatoi se parimet për asosacionin nuk janë në pajtim me Kushtetutën.

Lajçak, i cili qëndroi në kryeqytetin serb pas dy ditësh në Prishtinë, tha se nga “25 takimet” që ka pasur me zyrtarët kosovarë, “asnjë bashkëbisedues nuk ka thënë se nuk do t’i përmbushin obligimet”. Presidenti serb, Vuçiç, këmbëngul në krijimin e asosacionit që duket se ka qenë pengesë për vijimin e dialogut në Bruksel. Por pas takimit me Lajçak ai tha se është i gatshëm për takim, kurdo që i dërguari i BE ta caktojë atë.

Top Channel