Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion simbolik para Zyrës së BE-së në Kosovë, duke kundërshtuar rolin e komisarit, Miroslav Lajçak, i cili nga Beogradi kërkoi ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Por gjatë këtij aksioni Policia e Kosovës ka arrestuar dy aktivistët e PSD-së, Frashër Krasniqin dhe Zgjim Hysenaj.

Ata janë arrestuar për shkak te mbishkrimeve që kanë vënë në mure afër zyrës së BE-së, gjatë aksionit simbolik.

Teutë Rrusta, aktiviste e PSD-së, para aksionit foli para mediave ku tha se komisari Lajçak nuk e ka në plan përmirësimin e as zgjidhjen e konfliktin mes dy vendeve.

“Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për ndërmjetësim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Lajçak, sot na dërgoi porosinë nga Beogradi lidhur me Asociacionin i cili tha se ky do të bëhet madje dhe duke ndërruar Kushtetutën e Kosovës. Komisari Lajçak ka zgjedhur Beogradin për të na dërguar një mesazh problematik i cili vetëm sa e përjetëson konfliktin mes dy popujve. Përmes kësaj qasje Komisari Lajçak nuk e ka në plan përmirësimin e as zgjidhjen e konfliktin, zgjidhjen e problemit, por në fakt ai me ngulm po kërkon formimin e Asociacionit i cili është në baza etnike i cili vetëm sa ndan Kosovën për brenda në baza etnike në njërën anë dhe në anën tjetër e ngrin problemin me Serbinë edhe më tutje”, tha ajo.

PSD-ja po vlerëson se Miroslav Lajcak po luan një rol neutral karshi njohjes së shtetësisë së Kosovës, madje akuzuan edhe BE-në për të cilën tha se po luan një rol problematik.

“Ky Komisar i cili qëndron neutral karshi njohjes që duhet bërë nga Serbia në raport me Kosovën. Bashkimi Evropian në këtë rast po e luan një rol problematik, ai po i ndan popujt në vend që të kontribuonte në rregullimin e raporteve, në vend që të kontribuonte në paqen midis popujve dhe barazi midis tyre”, tha ajo.

Deklarata e Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për ndërmjetësim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, se Kushtetuta e Kosovës nuk është Bibël dhe se mund të ndryshohet, ka ngjallur reagime të shumta në vend.

Top Channel