Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka quajtur të pavërteta deklaratat e emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sa i përket krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
Osmani e pyetur nga KosovaPress, tha se gjatë takimit me Lajçak asnjëherë nuk kishte thënë se pajtohet që asociacioni të themelohet në përputhje me marrëveshjen e vitit 2015. Madje, ajo u shpreh se ka thënë pikërisht të kundërtën se duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.
Sa i përket deklaratës së emisarit special të BE-së se Kushtetuta nuk është Bibël dhe se Kosova duhet ta ndryshojë atë për Asociacionin, Osmani potencoi se në takim e ka bërë të qartë se nuk mund të themelohet asnjë pushtet i tretë e aq më pak organe me kompetenca ekzekutive.
“Unë mund tua konfirmoj si një ndër tri institucionet që është takuar me z.Lajçak që ajo që ka deklaruar në Serbi, absolutisht nuk është e vërtetë. Pra e para, si kryetare e Kuvendit në asnjë moment nuk e kam thënë në takim që pajtohem që asociacioni të themelohet edhe në përputhje me marrëveshjen e vitit 2015, por e kam thënë pikërisht të kundërtën që duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me asociacionin. E dyta, sa i përket konstatimin e tij lidhur me ndryshimin e kushtetutës e them me përgjegjësi të plotë se gjatë takimit unë kam deklaruar që duhet të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nuk mund të themelohet asnjë pushtet i tretë e aq më pak organe me kompetenca ekzekutive të cilat do të mund të ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, tha ajo.
Citimet e emisarit Lajçak, Osmani tha se i sheh si shqetësuese, sepse sipas saj, nuk kanë fare të bëjnë me realitetin e asaj çka është biseduar në takim.Osmani tha se nuk e di çfarë realiteti paralel tenton të prezantoj Lajçak, pasi sipas saj, realitet i vërtet është krejt i kundërt.
“Ato citime të tij i shoh shumë shqetësuese sepse nuk kanë fare të bëjnë me realitetin, realiteti është ajo që ne e kemi lëshuar si komunikatë zyrtare nga Kuvendi i Kosovës lidhur me takimin e përbashkët. Pra, ato kanë qenë qëndrimet që unë si kryetare e Kuvendit i kam shprehur dhe ia kam bërë me dije që aq sa shihet dhe dihet në Kuvendin e Kosovës nuk ka shumicë në Kuvend që do të pranonte një asociacion sipas marrëveshjes së 2015, por ka shumicë madje absolute në Kuvend që insiston që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me atë dokument të nënshkruar në vitin 2015. E dyta, jam e bindur që nuk ka shumicë absolute as për ndryshim të Kushtetutës, prandaj unë nuk e di çfarë realiteti paralel tenton të prezantoj z.Lajçak sepse realiteti i vërtet është krejt i kundërt me atë që ai e ka deklaruar në Serbi. Besoj që kështu nuk është rruga përpara për të arritur konsensus për çfarëdo çështje”, tha ajo.
Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, gjatë kësaj jave ka qëndruar edhe në Kosovë ku është takuar me krerët institucional dhe kryetarët e partive politike në vend. Pas Kosovës Lajçak e ka vizituar edhe Serbinë./Kosova Press/
Top Channel