Situata e pandemisë imponon mënyra të reja në organizimin e mbledhjeve të institucioneve shtetërore. Si do të zhvillohet puna në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut pas zbulimit se tre deputetë janë pozitivë me COVID-19.
Në mungesën e tre deputetëve në mbledhjet plenare nuk ka shumicë. Në koordinimin e parë me grupet parlamentare nuk është arritur pajtueshmëri për ndërprerjen e punës me prezencë fizike.
Kryeministri Zoran Zaev thotë, se Maqedonia e Veriut duhet të ndjekë praktikat e vendeve tjera, ku parlamentet po funksionojnë online për të mos rrezikuar jo vetëm shëndetin, por edhe miratimin e ligjeve të domosdoshme për përballje me pandeminë.
“Qeveria seancën e radhës do ta ketë online. Ne ende nuk kemi person me simptoma apo të infektuar, por në bazë të rekomandimit të Komisionit për Sëmundje Infektive na u tha se në përputhje me numrat, duhet të përgatitemi për seanca online. Besoj se edhe Parlamenti do të ketë mirëkuptim dhe do ta pranojë punën në online”, është shprehur Zaev.
VMRO-DPMNE: Seancat online janë antikushtetuese
Opozita është kategorikisht kundër mënyrës së punës online në Parlament. Sipas VMRO-DPMNE-së puna online është antikushtetuese. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski vlerëson, se kjo kërkesë e pushtetit është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Nga aspekti juridiko-kushtetues parlamenti nuk mund të punojë dhe të vendosë përmes aplikacionit online, pasi ka një normë kushtetuese, e cila kërkon praninë e deputetëve në seancat, shumicën nga numri i përgjithshëm i deputetëve”, thotë deputeti Milloshoski. Opozita maqedonase konsideron, se shumica ka dalë me një nismë të tillë pasi nuk ka shumicën në parlament pas infektimit me koronavirus të tre deputetëve, apo një më pak se numri i nevojshëm për mbajtje të seancave dhe votimit të ligjeve në rast se ato bojkotohen nga opozita.
Edhe opozita shqiptare shprehet kundër mënyrës së punës online në parlament. Deputeti i Alternativës Zejd Rexhepi thotë, se parlamenti duhet të punojë me prezencë fizike siç është e paraparë me kushtetutë dhe ligjet përkatëse.
“Parlamenti i përmbush të gjitha kushtet preventive për mbrojtjen kundër pandemisë, ndaj konsiderojmë që është e pavlerë kërkesa për funksionim online të institucionit ligjvënës. Çdo veprim tjetër pa konsenzus e vdes demokracinë dhe është në kundërshtim me vlerat ligjore ”, vëren Rexhepi.
Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Izet Mexhiti thotë, se sa i përket mënyrës se si më tutje do të vazhdojë puna në parlament, është i nevojshëm konsensus nga të gjitha partitë politike parlamentare. Por për deputetët e prekur nga COVID-19 duhet t’ju mundësohet që të punojnë online dhe të ushtrojnë detyrVn për të cilën janë votuar nga qytetarët.
Ristevski: Ndryshimi i rregullores mundëson punën online
Njohësit e çështjeve juridike thonë se puna online e parlamentit nuk mund të nisë pa ndryshimin e rregullores mbi punën e kuvendit.
“Duhet të ketë ndryshime në rregullore, ndërsa sa i përket kushtetutshmërisë së kësaj çështjeje, mendoj se nuk ka shkelje. Është e vërtetë se ka dallim sa i përket kualitetit të seancave pasi nuk është njëjtë kur ato mbahen me prani të deputetëve në sallë dhe nga distanca, komunikimi mes deputetëve është më i frytshëm, ka debat ”, thotë Temellko Ristevski profesor i së Drejtës Kushtetuese.
Profesori universitar për çështje juridike Bashkimi Selmani thotë se në shumë vende të botës tashmë të gjitha aktivitetet po zhvillohen online, përfshirë edhe punën e parlamenteve të tyre, por ai nuk përjashton edhe mundësinë që të ketë edhe keqpërdorime në situata të këtilla, ndaj konsideron se është mirë që të ketë aktivitete të kombinuara.
“Nëse gjithçka zhvillohen nga distanca atëherë shumë punë dhe procese do të ndërpriten. Deri më tani është treguar se puna online nuk e ka efikasitetin e duhur. Ky sistem mund të aplikohen në raste individuale, por jo edhe kolektive që i gjithë Parlamenti të punojë online”, thotë Selmani./DW/
Top Channel