Në prag të derbit të Milanos, kanë menduar mediat spanjolle që të prishin disi qetësinë në klubin e Milanit, pasi kanë raportuar se Mino Raiola ka arritur marrëveshjen me Paris Saint Germain për të çuar atje portierin Gigio Donnarumma.
Ky i fundit është një nga pikat më të forta të skuadrës së Milanit dhe një nga portierët më të mirë në qarkullim, ndërsa fakti që ka vetëm 21 vite mbi supe, ka bërë që pas tij të vihen klubet më të mëdha europiane.
Kontrata e Donnarummës me Milanin skadon më 30 qershorin e vitit të ardhshëm dhe prej ditësh palët janë duke negociuar rinovimin, por momentalisht duket se oferta e kuqezinjve është ende larg pretendimeve të Raiolës.
Pikërisht për këtë arsye duket se “super-menaxheri” ka hyrë në negociata me Leonardon dhe kanë gjetur gjuhën e përbashkët për një transferim të portierit 21-vjeçar në “Parc des Princes” verën e ardhshme.
Sipas portalit sportiv spanjoll “Todo Fichajes”, marrëveshja mes palëve është arritur dhe tani pritet vetëm muaji janar për të bërë edhe zyrtarizimin, duke qenë se në 6 muajt e fundit të kontratës, çdo futbollist mund të nënshkruajë me një klub tjetër.
Natyrisht që ky lajm turbullon jo pak drejtuesit e Milanit, të cilët duan që të rinovojnë me Donnarummën, ose në rastin më të keq, ta shesin për një shifër të majme, për të rregulluar bilancet ekonomike të klubit.
Top Channel