Transparency International ngre alarmin për nivelin e ryshfetit që kompanitë bëjnë në tregjet e huaja

14/10/2020 05:45

Organizata Transparency International e ka renditur Rusinë, Bullgarinë dhe Hungarinë në mesin e 19 eksportuesve kryesorë globalë që po bëjnë pak ose asgjë, për të zbatuar rregullat që ndalojnë kompanitë të paguajnë ryshfet në tregjet e huaja.

Në një raport të lëshuar më 13 tetor, organizata kundër korrupsionit me qendër në Berlin tha se vetëm katër nga 47 eksportuesit kryesorë – Shtetet e Bashkuara, Britania, Zvicra dhe Izraeli – zbatuan në mënyrë aktive legjislacionin kundër ryshfetit të huaj gjatë vitit 2019. Këto vende përbëjnë 16.5 për qind të eksporteve globale.

“Hulumtimi ynë tregon se shumë vende mezi po hetojnë ryshfetin e huaj”, tha Gillian Dell, autori kryesor i hulumtimit. “Për fat të keq, është shumë e zakonshme që bizneset nga vendet e pasura të eksportojnë korrupsionin në vendet më të varfra, duke minuar institucionet dhe zhvillimin”, tha ai. Një konventë e vitit 1997 e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) ndalon mitmarrjen për të fituar kontrata dhe licenca, ose për të shmangur taksat dhe ligjet lokale.

Kina, eksportuesi më i madh në botë, njëherësh vendi që nuk e ka nënshkruar konventën, ka bërë pak ose aspak në drejtim të zbatimit të rregullave. Në këtë kategori kanë rënë edhe: India, Japonia, Koreja e Jugut, Rusia, Belgjika, Republika Çeke, Hungaria, Finlanda, Peruja dhe Bullgaria. Gjermania, eksportuesi i tretë më i madh në botë, kryen “zbatim të moderuar” të konventës së OECD-së ashtu siç bëjnë edhe eksportuesit e tjerë të mëdhenj si Franca, Italia, Spanja, Australia dhe Brazili.

Holanda, Kanadaja, Austria dhe tre shtete Baltike janë në kategorinë e atyre që tregojnë “zbatim të kufizuar”. Kreu i Transparency International, Delia Ferreira Rubio, tha se G20 (grupi i ekonomive kryesore botërore) dhe kombet e tjera “kanë një përgjegjësi për të zbatuar rregullat.”

“Ryshfeti i huaj ka kosto dhe pasoja të mëdha për vendet në të gjithë globin, dhe këto kosto janë bërë më të rënda gjatë pandemisë së koronavirusit sepse shumë raste të ryshfetit të huaj po ndodhin në kujdesin shëndetësor”, thuhet në raport. Rekomandimet e Transparency International përfshin dhënien fund të fshehjes së pronësisë së kompanive “që veprojnë si një pengesë për zbulimin dhe hetimin e ryshfetit të huaj”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA