Thaçi: Të bisedohet për njohje reciproke, jo për çështje teknike

14/10/2020 11:55

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi që në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, të vihet në tryezë mundësia e njohjes reciproke.

“Të hidhet në tryezë mundësia e diskutimit për njohjen reciproke dhe kjo duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes pastaj çështjet tjera vijnë më lehtë dhe jo të vazhdohet me çështje teknike qe i kemi diskutuar tash e dhjetë vjet në Bruksel”.

Këto komente presidenti Thaçi i bëri pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili ndodhet për vizite në Kosovë.

“Dua të besoj se vetëm njohja reciproke me standardet e përcaktuara në kornizën e marrëveshjes eventuale, është një mundësi e mirë dhe garanton stabilitetin në rajon e garanton të ardhmen europiane edhe të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Thaci.

Lajçak, një ditë më parë u takua me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin dhe kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin. Ai nuk bëri asnjë deklaratë për shtyp pas këtyre takimeve. Në Bruksel thuhet se vizita e zyrtarit të lartë ka për qëllim “zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Kosova ka thënë se nuk dëshiron ta hapë më këtë diskutim, ndërsa por Serbia insiston që të bisedohet për asociacionin.

Top Channel