Portland, protestuesit rrëzojnë statujat e Ruzveltit dhe Linkolnit

14/10/2020 04:14

Protestuesit në Portland përmbysën statujat e ish-presidentëve Teodor Ruzvelt dhe Abraham Linkoln dhe kryen akte vandalizmi në ambjentet e organizatës Shoqëria Historike e Oregonit, si një shfaqje “zemërimi” kundër Ditës së Kolombit, një festë federale që shënon “zbulimin” e Amerikës nga eksploruesi Kristofer Kolombi.

Organizatorët e protestës e quajtën ngjarjen “Dita e zemërimit të popullsisë indigjene”, në përgjigje të festës federale të ditës së hënë që mban emrin e eksploruesit italian të shekullit të 15-të Kristofer Kolombi, një figurë që ka shkaktuar shumë kundërshti e për të cilën mbështetësit e indianëve të Amerikës (popullsia indigjene e kontinetit) thonë se ka nxitur gjenocid shekullor kundër popullsisë indigjene. Mbrëmjen e së dielës, protestuesit lidhën me zinxhirë statujën e Presidentit Ruzvelt dhe sipas njoftimeve në media e spërkatën atë me bojë të kuqe dhe përdorën një mjet që përdoret për saldim për të zhvendosur bazën mbi të cilën ngrihej statuja. Kjo e fundit u përmbys nga turma pak para orës nëntë të mbrëmjes. Tetë minuta më vonë protestuesit rrëzuan statujën e Presidentit Linkoln.

Historianët kanë thënë se Presidenti Ruzvelt ka qenë armiqësor ndaj popullsisë indigjene. Ai ishte shprehur një herë se: “nuk shkoj deri në atë pikë sa të them se të vetmit indianë të mirë janë indianët e vdekur, por besoj se nëntë nga dhjetë prej tyre janë…”. Protestuesit shkruan me bojë pranë statujës së Linkolnit “Dakota 38”, duke iu referuar 38 burrave të fisit Dakota për të cilët Presidenti Linkoln dha miratimin që të vareshin të akuzuar se përfshirë në një konflikt të dhunshëm me kolonët e bardhë në Minesota. Pas rrëzimit së statujave, turma theu dritaret e qendrës së organizatës Shoqëria Histrorike e Oregonit dhe më pas u zhvendos drejt Zyrës së Sigurisë Publike të universitetit shtetëror të Portlandit.

Një mbulesë e qepur nga 15 gra afrikano-amerikane nga Portlandi në mesin e viteve 1970 ishte mes sendeve të dëmtuara, njoftoi përmes një deklarate të hënën Kerry Tymchuk i cili drejton organitën Shoqëria Historike e Oregonit. Çdo pjesë e mbulesës së qepur nga gratë afrikano-amerikane nderon trashgiminë e një individi apo një moment nga historia e afrikano-amerikanëve tha zoti Tymchuk. Ai shtoi se dëmtimet që ka pësuar nbulesa, e cila u gjet disa blloqe ndërtesash larg, do të analizohen. “Ndërsa pastrojmë vendin nga xhamat e thyer, pastrojmë bojën dhe planifikojmë sigurinë në ndërtesën tonë, jemi gjithashtu të hapur si gjithmonë ndaj kritikave”, thuhej në deklaratën e zotit Tymchuk. “Do të ishim mirënjohës ndaj kritikave konstruktive nga të gjithë ata që janë të gatshëm e të aftë të na ndihmojnë në përmbushjen e vizionit tonë mbi historinë e Oregonit që është domethënëse për të gjithë banorët”, shtoi ai.

Tre persona u arrestuan nga policia, e cila njoftoi gjithashtu përmes një deklarate se disa biznese ishin dëmtuar, përfshi një restorant ndaj të cilit ishte qëlluar të paktën dy herë me armë zjarri. Në shtetin New Mexico, protestuesit rrëzuan të hënën një monument historik si pjesë e demonstrateve atje dhe shtetin fqinj Arizona, që kishin për qëllim të shënonin atë që e quajnë Dita e Popullsisë Indigjene. Protestuesit përdorën një litar dhe zinxhirë për të rrëzuar një obelisk në Santa Fee, i cili prej kohësh është kritikuar pasi u referohej “heronjve” që vdiqën në betejë me “indianët e pamëshirshëm”. Këto monumente janë statujat më të fundit që rrëzohen pas një vale përmbysjesh të monumenteve e protestash të nxitura pas vdekjes me 25 maj të George Floydit ndërsa ishte i ndaluar nga policia në Mineapolis./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA