Pavarësisht armëpushimit, numri i viktimave në Nagorno-Karbak vazhdon të rritet

14/10/2020 04:30

Numri i të vdekurve vazhdon të rritet në përleshjet midis forcave armene dhe azerbajxhanase në rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut, pavarësisht një armëpushimi dhe paralajmërimeve të një krize humanitare. Zyrtarët armenë në rajonin e debatueshëm të Nagorno-Karabakut raportuan vdekjen e 17 ushtarakëve të hënën, duke rritur numrin e tyre të përgjithshëm në rreth 540 që nga fillimi i luftimeve më 27 shtator.

Autoritetet Azerbajxhanase nuk kanë bërë njoftime për viktima ushtarake, një tregues se numri i përgjithshëm i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë, por ata raportuan të hënën për të paktën 31 vdekje të civilëve dhe qindra lëndime në mesin e popullatës civile. Të dy vendet kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkeljen e një armëpushimi të ndrëmjetësuar nga Rusia të arritur katër ditë më parë, duke zbehur shanset e arritjes së një marrëveshje paqeje. Zëdhënësi i ministries azerbajxhanase të mbrojtjes, Vagif Dargiahly akuzoi të martën ushtrinë e Armenisë për “shkelje të rëndë të armëpushimit humanitar” duke bombarduar territoret azerbajxhanase të Goranboit, Agdamit dhe Terterit.

Akuza u mohua nga zëdhënësi i ministrisë armene të mbrojtjes, Shushan Stepanyan, i cili tha se forcat azerbajxhanase rifilluan operacionet pas një periudhe relatavisht të qetë në natën e mëparshme dhe “u mbështetën nga sulmet active të artilerisë në drejtimet jugore, veriore, verilindore dhe lindore”. Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar lëshoi një thirrje emergjente të martën për 10 milionë dollarësh shtesë për të financuar përpjekjet e tij humanitare në rajon. “Ne parashikojmë që të paktën dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë rajonin do të kenë nevojë për mbështetje gjatë muajve të ardhshëm”, tha Drejtori i Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për rajonin e Euroazisë, Martin Schuepp.

Luftimet po shkaktojnë gjithashtu përhapjen më të shpejtë të koronavirusit në të dyja vendet. Zëdhënësi i OKB-së, Tarik Jasarevic tha në një konferencë shtypi në Gjenevë se rastet e reja në Armeni u dyfishuan gjatë dy javëve të fundit sipas të dhënave të publukuara të hënën, ndërsa rastet e reja u rritën rreth 80 për qind në Azerbajxhan gjatë javës së kaluar. Armenia dhe Azerbajxhani ranë dakord për një armëpushim në rajonin e debatueshëm të Nagorno-Karabakut pas bisedimeve në Moskë. Armëpushimi synon të lejojë të dyja palët të shkëmbejnë të burgosurit dhe të rikuperojnë të vdekurit. Territori kryesisht etnik armen shpalli pavarësinë e tij nga Azerbajxhani në vitin 1991 pas shpërbërje së Bashkimit Sovjetik, duke shkaktuar një luftë që i mori jetën rreth 30,000 njerëzve para një armëpushimi të arritur në vitin 1994. Megjithatë, pavarësia e këtij rajoni nuk njihet ndërkombëtarisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA