Më shumë se 500 vjet heqje lirie për 57 të akuzuarit e Agimit të Artë, prej të cilëve 30 pritet të shkojnë orët e ardhshme në burg, përmban vendimi i Gjykatës së Apelit në Athinë, në gjyqin më historik në Greqinë e pasluftës.

Sa i përket grupit të liderëve të partisë neonaziste që janë akuzuar për drejtimin e një organizate kriminale:

-me 13 vjet dhe 6 muaj heqje lirie është dënuar kreu i AA-së, Nikos Mihaloliakos, numri 2 i kësaj partie, Ilias Kasidhiaris dhe deputeti, Georgios Germenis.

-me 13 vjet e 8 muaj burg është dënuar eurodeputeti Ioanis Lagos. Me 13 vjet e 3 muaj Christos Papas. Për dy funksionarët e tjerë të lartë të AA-së, Ilias Panagiotaros ka marrë dënimin me 13 vjet heqje lirie dhe Artemis Mattheopoulos 10 vjet burg.

11 ish-deputetët e tjerë të kësaj partie, pjesë dikur të dhunës verbale në sallën e parlamentit grek, por dhe të dhunës fizike jashtë tij janë dënuar nga 5-8 vjet heqje lirie. Gjyqi ka dënuar me burgim të përjetshëm dhe 14 vjet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, neonazistin Georgios Roupakias, vrasësin e këngëtarit antifashist Pavlos Fyssas.

Gjithashtu gjykata ka dhënë dënime nga 6-8 vjet heqje lirie për disa prej udhëheqësve lokalë të degëve të AA-së, disa prej të cilëve përveç vrasjes së Pavlos Fyssas jane implikuar edhe në tentativën e vrasjes së peshkatarëve nga Egjipti. Dënimet përmbajnë edhe shkeljen e ligjit për posedim armësh apo armëmbajtje pa leje. Seanca maratonë është ndërprerë për të vazhduar të enjten, pasi shumë prej avokatëve mbrojtës kanë kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimeve.

I papenduar, pas dhënies së dënimeve kreu I neonazistëve, Nikos Mihaloliakos deklaroi se vendimi i gjykatës konsideron si krim nacionalizmin dhe se është krenar pasi gjykohet për shkak të ideve të tij. Në të njëjtën kohë më shumë se 100 oficerë të grupeve speciale të policisë marrin pjesë në operacionin për arrestimin e 30 të dënuarve, për të cilët ka edhe një plan special se si do të shpërndahen në burgjet greke.

Për grupin e liderëve të AA-së janë krijuar qeli të veçanta në një pjesë të burgut të grave në Korridhalo, pak metra larg vendit ku mbahen nën masa ekstreme edhe të akuzuarit e mbetur nga grupi i ekstremit të majtë, 17 Nëntori.

Aleksandër Marku

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA