Në vitin 2009, në prag të zgjedhjeve parlamentare, kryeministri i atëhershëm Sali Berisha do të deklaronte se “ne rikthejmë rrugën e lashtë Egnatia, rrugë në të cilën, në shekuj e shekuj, karvanët e shqiptarëve udhëtuan për tregti e qëllime të tjera”.
Sipas tij, kjo rrugë shkurtonte në mënyrë shumë të ndjeshme distancën e Korçës, Bilishtit e Kolonjës me Tiranën. Gjatë mandatit të tij të dytë 4-vjeçar, u shtruan vetëm 3 kilometra rrugë të aksit Qukës-Qafë Plloçë.
Por, edhe gjatë dy mandateve të Rilindjes, rruga ende nuk ka përfunduar. Megjithëse është vetëm 40 kilometra i gjatë, projekti ka ndryshuar disa herë. Përgjatë 11 viteve, shtetarët kanë dhënë disa afate kur do të përfundojë. Në 2017, 2018, 2019 dhe aktualisht në 2020. Por, në terren, ka edhe shumë punime.
Në tetor 2016, kryeministri Edi Rama tha se “ky është një nga projektet e Saliut me probleme të mëdha inxhinierike”. Megjithatë, z.Rama nuk përmendi datën se kur do të përfundonte ky aks. Dy vite më vonë, në muajin janar 2018, ministrat Ahmetaj dhe Gjiknuri shkuan në këtë segment rrugor dhe “premtuan” se “rruga përfundon në vitin 2019. Projekte me shumë probleme, në terren shumë të vështirë”.
“Fiks Fare” siguroi një raport nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku thuhet se “kostoja e përgjithshme e vlerësuar e projektit është 152 milionë USD”. Por, ndryshimet e projekteve, kanë sjellë fryrjen e kostove në plot 73.6 milionë USD. Pra, më shumë se gjysma e vlerës së projektit fillestar. Në total, kjo rrugë do ti kushtojë shqiptarëve plot 225.6 milionë USD!
LOTI I; 22.6 mln USD më shumë se projekti fillestar!
Sipas KLSH-së, për lotin 1, janë realizuar 2 shtesa kontrate, janë miratuar 2 urdhër ndryshimi dhe janë në proces 2 urdhër ndryshimi të tjerë. Vlera e kontratës për lot 1, parashikohet të bëhet rreth 60.7 milionë USD, me një shtesë referuar kontratës bazë me vlerë rreth 22.6 milionë USD, ose 59 % më e lartë se parashikimi.
Gazetarët e “Fiks Fare” udhëtuan në kantierët e firmave që po kryejnë punime prej rreth 1 dekade. Një punonjës i firmës “Sintram Albavia”, e cila po kryen punime në lotin 1 tha se “me këto ritme, rruga do edhe 3 vjet të përfundojë”. Sipas tij, problemi nuk qëndron te firma, por te disbursimi i fondeve nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Problemi i vonesave, sipas tij, janë pagesat e pakryera. “Duhen lekë, pa lekë s’bëhen ato” thotë ai, ndërsa përfundon se “nëse jepen lekët, rruga përfundon për 6 muaj”.
KLSH thotë se nga verifikimi i punimeve të realizuara për lotin 1, rezulton se një segment me gjatësi rreth 5 km nuk kanë filluar akoma punimet e ndërtimit të rrugës. Ndërkohë, edhe banorët e zonës ankohen se rruga është në këtë gjendje për një periudhë shumë të gjatë. “Rruga na ka sjellë më shumë të këqija, pasi i mbushi tokat me gurë. E hapën njëherë kështu dhe asfalt nuk kanë hedhur” thotë një banor.
Për këto vonesa, Autoriteti Rrugor Shqiptar i tha Fiks Fare në një përgjigje se “vonesat kanë ardhur si pasojë e problematikës së projektit origjinal, por kompanitë kontraktore janë paguar për gjithë punimet e certifikuara”. Më tej, ARRSH thotë se në këto segmente kanë ndodhur disa shembje dhe se përgjatë gjithë gjurmës ka ndryshime të miratuar të projektit fillestar.
LOTI II; Probleme projektimi dhe 26 milionë USD më shumë…
Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se për lotin 2, janë miratuar 4 shtesa kontrate dhe pritet që vlera e kontratës të bëhet rreth 89.3 milionë USD. Pra, një shtesë kontratës bazë me vlerë rreth 26 milionë USD, ose 41.2 % më e lartë. Gazetarët e Fiks Fare kontaktuan me punonjës të firmës “Alb Building”, por askush nuk pranoi të jepte intervistë. Ata dhanë një informacion se punimet në këtë lot kanë ecur me ritme të shpejta. Sipas tyre, në këtë lot janë kryer rreth 80 % të punimeve, ndërkohë që shkelja është afati i mbarimit të këtij loti. Afati ka qenë në fillim të vitit 2019, ndërkohë që është shtyrë në vitin 2021. Vonesa konsiston se në muajt e dimrit, për shkak të lartësisë së madhe, nuk kryhen punime në këtë lot.
ARRSH thotë se, edhe në lotin 2, “ka pasur studim para përgatitjes së projektit, të cilat gjatë implementimit kanë konstatuar të mangëta”. Megjithatë, në këtë përgjigje, nuk jep asnjë afat përfundimtar se kur do të përfundojë i gjithë projekti.
Loti III; Gjysma e punës dhe kërkohen 25 milionë USD!
Gazetarët e Fiks Fare vëzhguan edhe lotin e 3 të kësaj rruge. Në Qafë Plloçë, ishte vendosur edhe një tabelë në fillim të punimeve. Mësohet se tabela është vendosur në janar të vitit 2016, datë e cila është fillimi i punimeve. Punimet për këtë lot duhet të përfundonin për 22 muaj. Dhe nëse do të llogarisim fillimin dhe këto muaj, rezultonte se në shator të vitit 2017, loti i 3 duhet të kishte përfunduar. Aktualisht, afati i punimeve për këtë lot ka përfundur, ndërkohë që punimet kanë ecur me ritme shumë të ngadalta.
KLSH thotë se për këtë lot janë akorduar 25 milionë USD. Por, firma private për ta përfunduar këtë lot ka kërkuar plot 50 milionë USD. Pra, 25 milionë euro më shumë! Aktualisht, punimet për këtë lot janë ndërprerë sepse nuk ka më financim, duke rrezikuar kështu përfundimin me sukses e të gjithë projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës – Qafë e Plloçë.
ARRSH, në përgjigjen që i ktheu redaksisë së Fiks Fare, thotë se punimet në këtë lot janë ndërprerë në gusht 2019 për arsye të mungesës së financimit. Sipas saj, studimi për zonën para se të kryhej tenderi ka qenë i mangët dhe deri në ndërprerjen e punimeve është realizuar 51% e tyre dhe se në këtë lot ka pasur disa rrëshkitje.
Bashkia Pogradec: Rruga përfundon pas 18 muajsh
Bashkia e Pogradecit është institucioni i vetëm që ka një afat se kur do të përfundojë rruga. Sipas zyrtarëve të kësaj bashkie, “punimet përfundojnë pas 1 viti apo 1 viti e gjysëm”. Ndërkohë, as firmat, por edhe ARRSH, nuk ka një afat se kur do të përfundojë. Nënkryetari i Bashkisë së Pogradecit thotë se nga ky projekt përfitojnë 3 Njësi Administrative, Velçan, Proptishit dhe Trebinjë, por gjithashtu edhe qyteti i Pogradecit. Sipas tij, në këto njësi jetojnë 15 deri në 20 mijë banorë që jetojnë në atë zonë.
Nënkryetari thotë se Bashkia e Pogradecit, kryesisht kryetari edhe prefekti, mbajnë kontakte me firmat dhe qeverinë. “Kemi inspektuar tunelet në këto akse, ka filluar asfaltimi i tyre. Po punohet në ura me hark dhe hekur. Kam përshtypjen thotë që këto vonesa kanë ndodhur për shkak të rrëshkitjeve herë pas here, në dy tri vende. Ato kanë dashur rikoncpektim të projektit. Aq sa më shpejt të përfundojë, aq më mirë është, pasi edhe bashkia ka edhe projekte me këto fshatra.
Kemi hartuar projekte të dy akseve që lidhen me këtë rrugë në Velçan dhe Trebinjë. Duhet të përfundojë e gjithë rruga që të fillojmë ne” tha nënkryetari.
Top Channel