Sir Elton John dhe ish bashkëshortja e tij, Renate Blauel, kanë zgjidhur një mosmarrëveshje ligjore të shkaktuar nga autobiografia e yllit dhe filmi Rocketman.
Blauel paditi Sir Elton në qershor duke pretenduar se ai kishte shkelur kushtet e marrëveshjes së tyre të divorcit, duke diskutuar martesën e tyre katër vjecare që përfundoi në 1988. Ajo fillimisht kërkoi një urdhër gjykate për të parandaluar shkeljen e privatësisë së saj në të ardhmen si edhe dëmshpërblim prej afro 4 milionë dollarësh. Rasti tani është zgjidhur në mënyrë miqësore – tha një zëdhënës i Elton John.
Blauel kishte pretenduar se Sir Elton kishte shkelur në mënyrë të përsëritur dhe flagrante marrëveshjen e saj të divorcit në librin dhe filmin biografik që fitoi edhe një cmim Oscar. Avokatët e saj thanë se pjesët që flisnin për martesën e tyre kishin përkeqësuar problemet e shëndetit mendor, përfshirë depresionin dhe ankthin dhe se gjendja ishte rënduar nga interesi i shtypit për të.
Ndërsa avokatët e Sir Elton kishin argumentuar se detajet në libër dhe film ishin të njohura për publikun dhe se marrëveshja e divorcit kishte të bënte vetëm me çështje private dhe konfidenciale. Pesë skena nga Rocketman ishin përmendur në padinë e Blauel, përfshirë atë që tregonte martesën e tyre apo ato që tregonin ciftin që flinte në dhoma të ndara gjumi. Një tjetër skenë, përshkruante sir Elton, në një seancë terapie në grup, ku fliste për dështimin e martesës së tij për shkak të palumturisë dhe vecanërisht, seksualitetit të tij.
Top Channel