BE “pajtohet të sanksionojë” zyrtarët rusë për helmimin e Navalnyt

14/10/2020 18:52

Bashkimi Evropian ra dakord që të vendosë sanksione kundër gjashtë njerëzve dhe një subjekti, për helmimin e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, me agjentin nervor Noviçok.

Agjencitë perëndimore të lajmeve citojnë diplomatët të kenë thënë se marrëveshja është arritur në një takim me dyer të mbyllura të ambasadorëve të BE-së, të mërkurën, në Bruksel.

Dy ditë më herët, ministrat e Jashtëm të bllokut e mbështetën propozimin për vendosjen e masave ndëshkuese kundër individëve rusë, që besohet se janë përgjegjës për helmimin e Navalnyt, dhe kundër një subjekti të përfshirë në programin që ka prodhuar agjentin nervor.

Sipas agjencisë së lajmeve DPA, ngrirja e pasurisë dhe ndalimet e udhëtimit mund të zbatohen brenda ditësh.

Burimet e BE-së thanë se pjesëtarë të shërbimeve të sigurimit në Rusi janë në mesin e individëve të shënjestruar.

DPA tha se subjekti në fjalë është Instituti Shtetëror i Kërkimeve për Kimi Organike dhe Teknologji, i cili ka qenë përgjegjës për zhvillimin e agjentit nervor Noviçok gjatë epokës sovjetike.

Navalny është sëmurë në një fluturim nga Siberia në Moskë më 20 gusht dhe ka kaluar gati tri javë në gjendje kome.

Dy ditë më vonë, ai është transferuar në spitalin Charite të Berlinit, ku mjekët kanë gjetur gjurmë të agjentit nervor Noviçok në trupin e tij.

Gjetjet e tyre janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga laboratorët në Francë dhe në Suedi.

Më 6 tetor, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike po ashtu i ka konfirmuar gjetjet e laboratorëve të specializuar në Gjermani, Francë dhe Suedi.

Kremlini e mohon helmimin e Navalnyt dhe Qeveria ruse i ka rezistuar presionit ndërkombëtar për të hapur hetime në lidhje me rastin.rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA